Mbi 20 mijë raste aktive me COVID-19 në Kosovë

Në Kosovë është rritur ndjeshëm numri i rasteve aktive me COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë në bazë të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik bën të ditur se në total numri i rasteve aktive me COVID-19 është 20 mijë e 467.

Vetëm në 24 orët e fundit, në Kosovë janë regjistruar 17 raste të viktimave, ndërsa u regjistruan edhe 1 mijë e 64 raste pozitive.

Gjatë kësaj periudhe ishin testuar 7 mijë e 946 persona.

Në Kosovë nga 20 gushti kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-COVID, ku janë ndaluar dasmat, fejesat dhe ahengjet e tjera familjare si dhe janë mbyllur klubet.

MSH-ja ka marrë vendim që ta shtojë numrin e stafit mjekësor, ndërsa qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunen.