Më shumë se 200 punonjës shëndetësorë janë vrarë, qindra janë plagosur dhe të tjerë rezultojnë të zhdukur në Sudan që nga nisja e konfliktit mes ushtrisë dhe Forcës paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në prill të vitit 2023, bëri të ditur sot një grup lokal mjekësh, transmeton Anadolu.
Rrjeti i Mjekëve të Sudanit tha në një deklaratë se ka regjistruar vdekjen e më shumë se 234 punonjësve shëndetësorë që nga fillimi i luftës si dhe më shumë se 507 të plagosur. Sipas tij, 59 anëtarë të stafit mjekësor vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Grupi shtoi se 73 punonjës të tjerë shëndetësorë mbahen ende të ndaluar në qytetin Nyala, kryeqyteti i provincës Darfuri i Jugut, në kushte që i përshkroi si “jashtëzakonisht të rënda”, në zona të kontrolluara nga RSF-ja.
Rrjeti u bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar dhe organizatave humanitare të ndërmarrin veprime të menjëhershme për të ushtruar presion në mbrojtje të punonjësve shëndetësorë dhe për të garantuar aksesin e tyre të sigurt, duke i cilësuar këto veprime si shkelje të qarta të ligjeve ndërkombëtare që garantojnë mbrojtjen e personelit mjekësor gjatë konflikteve të armatosura.
Po ashtu, u kërkoi të gjitha palëve në konflikt të ndalojnë shkeljet, të mbrojnë stafin mjekësor, të lirojnë të ndaluarit dhe të zbardhin fatin e personave të zhdukur. Nuk pati reagim të menjëhershëm nga autoritetet sudaneze apo nga RSF-ja lidhur me deklaratën.
Nga 18 provincat e Sudanit, RSF-ja kontrollon të gjitha pesë provincat e rajonit të Darfurit në perëndim, përveç disa pjesëve veriore të Darfurit të Veriut që mbeten nën kontrollin e ushtrisë. Ndërkohë, ushtria kontrollon shumicën e zonave në 13 provincat e tjera në jug, veri, lindje dhe qendër, përfshirë edhe kryeqytetin Khartum.
Konflikti mes ushtrisë sudaneze dhe RSF-së, që nisi në prill 2023, ka shkaktuar deri tani vdekjen e mijëra personave dhe zhvendosjen e miliona të tjerëve.




