Mbi 400 mijë ushtarë rusë të vrarë e plagosur për vetëm 0.8% territor në Ukrainë gjatë vitit 2025

Rusia e ka mbyllur vitin 2025 me humbje jashtëzakonisht të rënda njerëzore në Ukrainë, duke pësuar mbi ‘400 mijë të vrarë dhe të plagosur’, ndërkohë që ka arritur të pushtojë vetëm ‘0.8 për qind të territorit ukrainas’, sipas vlerësimeve të Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës.

Autoritetet ukrainase vlerësojnë se Moska po zhvillon një ‘operacion informativ’ për të shmangur angazhimin në bisedime paqeje dhe për të vazhduar luftën, pavarësisht kostos së lartë njerëzore dhe përfitimeve minimale ushtarake.

Më 29 dhjetor, ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov akuzoi Ukrainën për një tentativë të supozuar atentati ndaj presidentit rus Vladimir Putin, duke pretenduar se 91 dronë me rreze të gjatë veprimi kishin sulmuar rezidencën presidenciale në Liqenin Valdai, rreth 140 kilometra në verilindje të Moskës.

Sipas Lavrovit, të gjithë dronët u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore ruse, por ai nuk sqaroi nëse Putin ndodhej në rezidencë në momentin e pretenduar të sulmit.

Këto akuza u hodhën poshtë menjëherë nga ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, i cili tha se Rusia nuk ka paraqitur asnjë provë të besueshme. “Asnjë sulm i tillë nuk ka ndodhur,” deklaroi ai.

Dy ditë më vonë, Rusia publikoi fotografi të mbetjeve të dronëve në borë, por pa prova të verifikueshme mbi origjinën, kohën apo vendndodhjen e rrëzimit të tyre. Media opozitare ruse ‘Sota’ e quajti incidentin “një sajesë të Kremlinit”, duke cituar banorë lokalë të Valdait që thanë se nuk kishin dëgjuar asnjë aktivitet të mbrojtjes ajrore atë natë.

Gjithashtu, Ministria ruse e Mbrojtjes dha deklarata kontradiktore për numrin dhe vendndodhjen e dronëve të rrëzuar, duke përmendur rajone qindra kilometra larg Valdait.

Instituti për Studimin e Luftës (ISW), me seli në Uashington, theksoi se mungojnë të gjitha provat tipike që shoqërojnë sulmet ukrainase, si pamje filmike, deklarata nga autoritetet lokale apo raportime mediatike.

Në të kundërt, sulme të vërteta ukrainase brenda Rusisë, përfshirë ato ndaj depozitave të naftës dhe rafinerive, janë dokumentuar gjerësisht në rrjetet sociale dhe nga burime të pavarura.

Sipas vëzhguesve, rasti i Valdait shihet si përpjekje e Kremlinit për të devijuar vëmendjen nga ‘dështimet ushtarake dhe humbjet masive’ në frontin ukrainas, në një kohë kur perspektiva e paqes mbetet e largët. /mesazhi