Mbi 45 milionë euro borxhe nga bizneset e amvisëria ndaj KRU “Prishtinës”

Zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka njoftuar se aktualisht janë pesë milionë euro borxhe nga bizneset dhe rreth 40 milionë euro nga sektori i amvisërisë.

Mjeku ka thënë se kjo kompani ka filluar një aksion në tërë zonën e shërbimit, jo vetëm në kryeqytet, për t’i mbledhur borxhet dhe për t’i identifikuar kyçjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit.

“Janë borxhe pesë milionë euro nga bizneset dhe 40 milionë euro janë borxhe të sektorit të amvisërisë, me ç’rast ne kemi filluar një aksion kundër keqpërdoruesve të ujit të pijshëm që t’i mbledhim borxhet tona dhe në identifikim dhe zbulimin e kyçjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit, pas këto kyçje janë faktori kryesor i rëndesës së furnizimit me ujë të pijshëm, pastaj edhe lagjet e urbanizuara, sepse çdo shtëpi e re që ndërtohet mos të pret furnizim 24 orë me ujë të pijshëm sepse kapacitetet që i kemi janë për një numër të caktuar të banorëve. Jemi duke dalë në këtë aksion në tërë zonën e shërbimit, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në shtatë komuna tjera që i kemi nën menaxhim e që i përfshijnë rreth 40 për qind të territorit të Kosovës, ne fillimisht u dërgojmë konsumatorëve vërejtje, pastaj paralajmërim për shkyçje”, ka thënë ajo të martën në një intervistë dhënë emisionit “SOT” në KTV.

Ajo më tej ka bërë të ditur se Veterniku është lagjja që ka prirë me kyçjet ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellësit.

Mjeku ka shtuar se së fundmi kanë hasur në një pishinë që është mbushur me ujë të pijshëm në Graçanicë, për çka ka lajmëruar se do të ketë ndëshkim maksimal.

“Sot kemi publikuar një lajm që kemi hasur në një pishinë që po e mbushnin me ujë të pijshëm në Graçanicë, për ta ndëshkimi do të jetë maksimal. Nuk kemi organ kompetent për të caktuar gjoba për këta konsumatorë, tashmë kemi një bashkëpunim të ngushtë me komunat, shumë shpejt do të dalin me urdhëresa administrative në të cilën do të parandalohen keqpërdorimet dhe do të përcaktohen saktë gjobat”, është shprehur ajo.