Mbi 8 mijë raste të sëmundjeve ngjitëse për një muaj

Numri i rasteve me sëmundje ngjitëse në Kosovë, vazhdon të jetë i lartë. Këtë e dëshmon statistika prej mbi 8 mijë raste vetëm për një muaj të këtij viti.

Sipas zyrtarëve në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë, këto sëmundje ngjitëse janë kryesisht të traktit respirator dhe diarreje akute.

Mirëpo, statistika prej mbi 8 mijë personave me këto sëmundje, nuk po shihet alarmante, pasi njësoj ka qenë edhe vitet e kaluara.

“Në muajin prill të vitit 2017 janë raportuar 8 563 raste me sëmundje ngjitëse, ndërsa në vitin 2018 për të njëjtën periudhë janë raportuar 8 743 raste me sëmundje ngjitëse. Ky numër i rasteve është i zakonshëm në ketë periudhë të vitit, dhe nuk ka dallim signifikant në mes të dy viteve”, thuhet në përgjigjën e IKSH-së për Indeksonline.

Mirëpo, fatmirësisht këtë vit ende nuk është raportuar ndonjë sëmundje e re ngjitëse.

“Nuk ka sëmundje të reja tw raportuara, ndërsa prej sëmundjeve tjera janë kryesisht diarrete ujore dhe infeksionet e traktit respiratorë (kryesisht viroza, etj.)”, thuhet tutje në përgjigjën e tyre.

Prej sëmundjeve ngjitëse ka raste edhe të vdekjes, mirëpo kjo ndodh kryesisht tek ata persona të cilët kanë edhe sëmundje tjera kronike.

Në Kosovë, gjatë një viti, sipas të dhënave, infektohen me sëmundje ngjitëse rreth 100 mijë njerëz.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i rasteve të reja që infektohen me sëmundje ngjitëse, është rreth 6 mijë në 100 mijë banorë.

Ndryshe, nga sëmundjet ngjitëse në Kosovë, gjatë vitit 2016, sipas Entit të Statistikave janë shënuar 64 raste të vdekjeve.

Sëmundjet ngjitëse, përveç përhapjes nga njeriu në njeri, përhapen edhe nga ndotja e ujit dhe kafshët e infektuara, kryesisht brejtësit, të cilat kontaminojnë ushqimin dhe ujin e pijshëm.