Ballina Lajmet Kosovë ​Mbledhja e 21-të: KQZ miraton konkluzionet dhe rekomandimet pas proceseve zgjedhore të...

​Mbledhja e 21-të: KQZ miraton konkluzionet dhe rekomandimet pas proceseve zgjedhore të mbajtura në vitin 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 21-të në këtë vit të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Në fillim të mbledhjes, gjatë shqyrtimit të rendit të ditës, KQZ shtyu për në mbledhjen e radhës pikën e rendit të ditës për rekomandimin për caktimin e lartësisë së mjeteve nga fondi për mbështetjen e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës për vitin 2026.

Ndërkaq, në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi konkluzionet dhe rekomandimet nga punëtoria e mbajtur për mësimet e nxëna nga dy proceset zgjedhore të mbajtura në pjesën e dytë të vitit 2025: zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Këto rekomandime janë rezultat i një analize gjithëpërfshirëse të sfidave të evidentuara gjatë dy proceseve zgjedhore të vitit 2025 dhe synojnë forcimin e integritetit, transparencës dhe efikasitetit të administrimit zgjedhor. Vendimet përfshijnë masa organizative, teknologjike dhe strukturore, si dhe një paketë të gjerë propozimesh për plotësim-ndryshimin e legjislacionit zgjedhor.

Fokus i veçantë i rekomandimeve është nevoja për ndërhyrje ligjore në Ligji nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe në Ligji për Financimin e Subjekteve Politike. Disa nga rekomandimet e KQZ-së, të cilat gjatë muajit prill do t’i dërgohen Kuvendit të Kosovës në raportin vjetor, janë:

– Rishikimi i sistemit zgjedhor me qëllim reduktimin dhe harmonizimin e numrit të votave preferenciale ndërmjet zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës dhe për Kuvendet Komunale;

– Rishikimi i afateve për paraqitjen dhe shqyrtimin e ankesave në PZAP dhe Gjykatën Supreme;

– Të hapet rruga për ndryshim për zgjatjen e afatit për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme nga 45 në 60 ditë;

– Qartësimi i dispozitave ligjore për votimin me asistencë;

– Ndryshimi i afateve të tërheqjes së dërgesave të pakove me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës, etj.

Në mesin e rekomandimeve dhe konkluzioneve të miratuara, përfshihet edhe çështja e numërimit digjital të fletëvotimeve dhe identifikimi elektronik i votuesve, të cilat do të mund të konsiderohen përmes ndryshimeve të akteve nënligjore të KQZ-së.

– Pas sfidave të evidentuara gjatë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës 2025, veçanërisht atyre që ndërlidheshin me rinumërimin dhe zgjatjen e procesit të numërimit, ka vlerësuar të domosdoshëm zbatimin e projektit për numërimin digjital të fletëvotimeve përmes skanimit. Ky projekt do të pilotohet fillimisht në një nivel të kufizuar, me qëllim testimin e funksionalitetit dhe efikasitetit të tij. Për zbatimin e numrimit digjital, parashikohet që brenda 6 muajve të ndërmerren veprime; dhe

– Po ashtu, do të shqyrtohet mundësia e zbatimit fillimisht si pilot i identifikimit elektronik, për të analizuar ndikimin, sfidat dhe mundësinë e aplikimit të tij në nivel vendi, me qëllim të forcimit të integritetit të zgjedhjeve. KQZ ka vlerësuar se përdorimi i identifikimit elektronik të votuesve kontribuon në forcimin e sigurisë, integritetit të zgjedhjeve, transparencë dhe statistika në kohë reale mbi daljen në votime.