Mbretëria e Bashkuar konfirmon dy rastet e para të koronavirusit

Dy raste të koronavirusit janë konfirmuar në Mbretërinë e Bashkuar, raste të para të tilla të cilat sipas autoriteteve shëndetësore britanike janë parë në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).

“Mund të konfirmojmë se dy pacientë në Angli, të cilët janë anëtarë të të njëjtës familje, janë testuar pozitivisht me koronavirus”, tha Chris Whitty, shefi mjekësor për Anglinë.

Whitty theksoi se pacientët janë duke marrë kujdes mjekësor të duhur dhe se autoritetet janë duke përdorur procedura të kontrollit të infeksionit për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të këtij virusi të ri.

Ai po ashtu tha se Mbretëria e Bashkuar është përgatitur dhe janë ndërmarrë masa të fuqishme të kontrollit të infeksionit.

“Ne vazhdojmë të punojmë ngushtë me Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe komunitetin ndërkombëtar përderisa shpërthimi në Kinë zhvillohet për të siguruar që jemi të gatshëm për të gjitha ngjarjet”, tha Whitty.

Sipas zyrtarëve, Britania sot sjell nga Kina rreth 150 qytetarë britanikë dhe të Bashkimit Evropianë (BE) në Mbretërinë e Bashkuar.

Deri më sot, gjithsej 9.810 raste të koronavirusit janë konfirmuar në 23 vende të botës, 99 për qind e tyre në Kinë.

Koronavirusi, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin kinez Wuhan, thuhet se te njerëzit është transmetuar nga kafshët, veçanërisht nga lakuriqët.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës së fundmi njoftoi se numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri ka arritur në 213.

Në Kinë po ashtu janë konfirmuar rreth 9.600 raste të pneumonisë të shkaktuara nga koronavirusi, i njohur gjithashtu si 2019-nCoV.

Koronavirusi ka ngritur alarmin në nivel global, me raste të raportuara në të gjithë Azinë si dhe në Evropë, SHBA dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe pjesë të tjera të Kinës.

Në një takim urgjent të ditës së djeshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e virusit të ri një emergjencë ndërkombëtare.