Mbreti Selman dhe Trump bisedojnë për “strategjinë e re për Iranin”

Mbreti i Arabisë Saudite, Selman bin Abdulaziz, njoftohet se e ka mirëpritur “strategjinë e re për Iranin”, të presidentit amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare saudite të lajmeve SPA, mësohet se mbreti saudit Selman ka kryer një bisedë telefonike me presidentin Trump.

“Ne duhet të vendosim qëndrime që do t’i japin fund terrorizmit dhe ekstremizmit dhe ne këto përpjekje duhet ti bashkojmë kundër Iranit i cili është mbështetësi i parë i këtyre”, është shprehur mbreti Selman, gjatë bisedës në lidhje me strategjinë e re të Trumpit për Iranin të cilën ai e njoftoi ditën e premte.

Gjithashtu mbreti Selman ka theksuar se Arabia Saudite “mbështet dhe e mirëpret” strategjinë e re për Iranin të cilën presidenti Trump ka njoftuar.

Deklarata e Trumpit në lidhje me strategjinë e re

Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili ka njoftuar strategjinë e re të vendit të tij për Iranin, duke vënë në dukje se SHBA-ja momentalisht nuk do të largohet nga marrëveshja për programin nuklear me Iranin, ishte shprehur: “Nëse nuk do të arrijmë një marrëveshje me kongresin dhe aleatët tanë atëherë marrëveshja do të anulohet. Marrëveshja është nën shqyrtim dhe në çdo kohë unë si president mund të anuloj pjesëmarrjen tonë.”

Ndër të tjera Trump kishte njoftuar se me arsyetimin për “mbështetje ndaj terrorizmit” ka vendosur në listën e sanksioneve Gardën Revolucionare të Iranit.