Mbyllen qendrat e votimit, nis numërimi i votave

Në orën 19:00 janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet e sotme parlamentare në Kosovë, proces ky që nga monitoruesit është vlerësuar i qetë dhe pa incidente të theksuara.

Në gjithë Kosovën sot është votuar në 889 qendra votimi me gjithsej 2,490 vendvotime, derisa numri i votuesve të regjistruar ishte 1, 872, 941 votues.

Zgjedhjet po vëzhgohen nga mbi 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe të akredituarit nga ambasadat në Prishtinë.

Pavarësisht mbylljes së procesit të zyrtar të votimit, në të gjitha ato qendra të votimit ku në orën 19:00 qytetarët që kanë qenë duke pritur për të votuar, do të realizojnë të drejtën e votimit.

Menjëherë pas mbylljes së qendrave të votimit do të fillojë procesi i numërimit të votave, kurse Telegrafi do t’ju mbajë të informuar në vazhdimësi me rezultatet preliminare nga shtabet zgjedhore të subjekteve politike dhe OJQ-të.