MD formalizon grupin punues për hartimin e koncept-dokumentit për themelimin e Institutit për Krime Lufte

Ministria e Drejtësisë ka formalizuar grupin punues për hartimin e koncept dokumentit për themelimin e Institutit për krimet të kryera gjatë luftës në Kosovë. Pjesë e këtij grupi punues do të jetë shoqëria civile, ekspert vendor, konsulent dhe qytetarë.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila përmes një shkrimi në facebook ka ftuar qytetarët që posedojnë dokumente të dërgojnë në adresën e tyre.

Lexoni shkrimin e plotë:

Pjesë e grupit punues përveç zyrtarëve përkatës të politikave dhe përfaqësuesve politik, do të jenë edhe përfaqësues të shoqërisë civile, ekspertë vendor, konsulentë e qytetarë të cilët vullnetarisht kanë dokumentuar krimet e luftës gjatë këtyre 20 viteve të fundit. Ministria e Drejtësisë mbetet e hapur për bashkëpunim dhe konsultim me të gjithë ata të cilët mund dhe duan të kontribuojnë në këtë proces.

Ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, organizatat dhe të tjerët të cilët posedojnë dokumente, dëshmi të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, hulumtime të cilat i kanë kryer dhe i konsiderojnë relevante të na i dërgojnë ato në këtë email adresë [email protected].