Me Caicedon, Chelsea shpenzon gati 1 miliard euro në 15 muajt e fundit në përforcime

Chelsea i çoi shpenzimet për përforcime në 1 miliard euro brenda 15 muajve, me pronarët e klubit nga SHBA-ja, të cilët të hënën mbrëma kompletuan transferimin e mesfushorit Moises Caicedo.

Caicedo iu bashkua Chelseat nga Brightoni për një tarifë prej 133 milionë eurosh. Me këtë tarifë të paguar, Chelsea theu rekordin që e kishte vendosur muaj më parë për transferime në Britani kur në muajin janar të këtij viti pagoi 125 milionë euro për ta transferuar mesfushorin e Argjentinës, Enzo Fernandez nga skuadra e Benficas. Qëkur mori kontrollin e klubit londinez në maj të viti të shkuar nga Roman Abramovich, pronari i ri i Chelseat, Todd Boehly ka shpenzuar 260 milionë euro në afatin kalimtar të verës së kaluar dhe 320 milionë euro tjera në afatin e janarit të këtij viti. Ndërkohë, këtë verë, Boehly ka shpenzuar edhe 350 milionë euro të tjera, të cilat deri në fund të muajit mund të rriten edhe më shumë. Në fakt, është raportuar se londinezët së shpejti do t’i prezantojnë edhe dy përforcime të tjera, duke paguar mbi 100 milionë euro. Bëhet fjalë për futbollistët Michael Olise nga Crystal Palace dhe Romeo Lavia nga Southamptoni. Është një shumë e paprecedentë shpenzimesh e krijuar te Chelsea për të rimodeluar skuadrën në afatin më të shkurtër, më realist të mundshëm. Në 21-vjeçarin Caicedo, Chelsea beson se ka nënshkruar me një nga mesfushorët e rinj më të mirë në botë.

“Moises posedon disa aftësi të rralla në mesfushë dhe është një lojtar që e kemi synuar për një kohë të gjatë”, thanë drejtorët sportivë të Chelseat, Laurence Stewart dhe Paul Winstanley. “Ne besojmë se ai do të ketë një ndikim të rëndësishëm në ‘Stamford Bridge’ këtë sezon – dhe në vitet në vijim”.

Chelsea mundi Liverpoolin për nënshkrimin e Caicedos, i cili luajti vetëm një sezon të plotë për Brighton pasi u bashkua nga klubi ekuadorian Independiente del Valle në vitin 2021. Ai e kaloi gjysmën e parë të sezonit 2021.22 në huazim te Beerschot në Belgjikë përpara se të integrohej ngadalë në skuadrën e Brighton. Ai është një mesfushor mbrojtës që është i mirë në top, mbulon hapësirën shpejt dhe është i njohur për presionin intensiv. Ai do të bashkohet me Fernandezin në një partneritet të ri dhe emocionues nën trajnerin e Chelseat, Mauricio Pochettino, i cili është në vitin e tij të parë në krye dhe ka mbikëqyrur një rinovim të jashtëzakonshëm të skuadrës.

“Nuk më duhej të mendoja dy herë kur më thirri Chelsea, thjesht e dija se doja të nënshkruaja për këtë klub”, tha Caicedo. “Është një ëndërr e realizuar të jem këtu dhe mezi pres të filloj me ekipin”.

Caicedo ka nënshkruar kontratë tetëvjeçare, e cila vazhdon politikën e Chelseat për dhënien e kontratave të gjata për të shpërndarë kostot e të tarifave të transferimit në të gjithë marrëveshjen.

Liverpooli, në fakt, arriti një marrëveshje me Brightonin javën e kaluar për të blerë Caicedo për 125 milionë euro. Megjithatë, ai nuk udhëtoi për kontrollimet mjekësore te Liverpooli pasi preferonte të transferohej te Chelsea, ekip që e kishte kërkuar me ngulm gjatë tërë verës. Caicedo nuk ishte i përfshirë në ndeshjen hapëse të Brightonit në Premier League, një fitore 4:1 ndaj Lutonit të shtunën. Ndërkohë, Chelsea e nisi edicioni e ri me barazim 1:1 kundër Liverpoolit, të dielën. Shpenzimet e mëdha të Chelseat janë kompensuar nga shitja e disa lojtarëve me paga të mëdha, duke përfshirë N’Golo Kanten, Kepa Arrizabalagan, Kai Havertzin, Mason Mountin dhe Mateo Kovaçiqin.