Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Allahut (a.s)
Ejani drejt një kënaqësie tjetër, ndoshta një kënaqësi që vështirë të krahasohet me ndonjë tjetër.
Imam Ibn Kajjimi ka thënë: “Te ai tek i cili është krijuar forca e dijes dhe njohjes, kënaqësia e tij qëndron në përdorimin e kësaj force dhe orientimin e saj drejt dijes. Ndërsa ai tek i cili është krijuar forca e dashurisë për Allahun, kthimit tek Ai, përqendrimit të zemrës tek Ai, mallëngjimit për Të dhe gjetjes së prehjes me Të, kënaqësia dhe begatia e tij qëndron në përdorimin e kësaj force për këtë qëllim.”[1]
Ejani të mësojmë itikafin e zemrës – përqendrimin e saj në dashurinë ndaj Allahut të Lartësuar, në përmendjen e Tij, në madhërimin dhe nderimin e Tij. Kjo është në të vërtetë kuptimi i kthimit (inabes) tek Allahu.
Allahu i Lartësuar thotë: “Ai që i frikësohet të Gjithëmëshirshmit në fshehtësi dhe vjen me zemër të kthyer (tek Ai).”[2]
Zemra patjetër ka një vend ku përqendrohet. Ka nga ata që përqendrohen tek dynjaja: Kur do të martohem? Dua një punë që të më sjellë shumë para. Dua të mbaroj studimet që të arrij një pozitë të lartë. Dua të kaloj në një nivel më të mirë jetese. Dua që këtë verë të pushojmë në një vend tjetër. Dua e dua…
Kështu zemra bëhet e përqendruar në dynja, e zënë me mbeturinat e saj. Kjo dynja është si idhujt tek të cilët populli i Ibrahimit (a.s) ishte i përkushtuar. Secili prej nesh – për fat të keq – ka një “idhull” tek i cili përqendrohet, nëse zemra nuk përqendrohet tek Allahu i Lartësuar.
Imam Ibn Kajjimi thotë: “Kush nuk e përqendron zemrën e tij vetëm tek Allahu, do ta përqendrojë atë tek idhuj të ndryshëm, ashtu siç tha imami i hanifëve popullit të tij: “Ç’janë këta idhuj ndaj të cilëve jeni të përkushtuar?”[3]
Ai dhe populli i tij e ndanë realitetin e përqendrimit: pjesa e popullit ishte përqendrimi tek idhujt, ndërsa pjesa e tij ishte përqendrimi tek Zoti Madhështor.
Lidhja e zemrës me dikë tjetër përveç Allahut, angazhimi me të dhe mbështetja tek ai, është një lloj përqendrimi ndaj idhujve që janë ngritur brenda zemrës. Kjo i ngjan përqendrimit ndaj idhujve të gdhendur. Për këtë arsye, shirk-u i adhuruesve të idhujve ishte përqendrimi i zemrave, synimeve dhe vullneteve të tyre tek idhujt e tyre. Nëse në zemër ka “idhuj” që e kanë pushtuar dhe robëruar atë, saqë zemra bëhet e përqendruar tek ta, kjo i ngjan përqendrimit ndaj idhujve. Prandaj Profeti (a.s) e quajti njeriun rob të tyre dhe u lut kundër tij duke thënë: “I mjerë robi i dinarit, i mjerë robi i dirhemit, i mjerë dhe i përmbysur qoftë; e nëse i hyn një gjemb, mos e nxjerrtë dot.”[4]
Dobija e sotme:
Gruaja e Faraonit tha: “Zoti im, më ndërto pranë Teje një shtëpi në Xhenet.”[5] Ajo kërkoi që shtëpia të ishte pranë Tij, para se të kërkonte që ajo të ishte në Xhenet, sepse fqinji vjen para shtëpisë.
Dhe sot duam të mësojmë adhurimin e “tebettul-it”: pra shkëputjen dhe vetminë me Allahun e Lartësuar. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe përkushtohu Atij me përkushtim të plotë.”[6]
Profeti (a.s), para shpalljes, e donte vetminë me Allahun. Nëna jonë Aisha bintu Ebu Bekr ka thënë: “Pastaj iu bë e dashur vetmia; ai tërhiqej në shpellën Hira dhe adhuronte aty – për net të tëra me radhë – para se të kthehej tek familja e tij, duke marrë me vete furnizim për këtë.”
Detyrë praktike:
Bëj itikaf në xhami, ose veçohu me Zotin tënd dhe mbylle veten në dhomë për të paktën gjysmë ore. Gjatë kësaj kohe shtoje lutjen, përgjërimin dhe bisedën e përzemërt me Të. Fol me Të – ndoshta Ai do ta pastrojë zemrën.
Autor: Hani Hilmi
Përktheu: Elton Harxhi
By: ardhmëriaonline.com
[1] – “El Feuaid”.
[2] – Sure Kaf: 33.
[3] – Sure Enbija: 52.
[4] – Buhariu dhe Muslimi.
[5] – Sure Tahrim: 11.
[6] – Sure Muzzemil: 8.







