Me fare pak arsyetim, Qeveria në ikje shpërndan miliona të shtetit

Pesë muaj pas dorëheqjes, Ramush Haradinaj ka udhëhequr këtë të martë një tjetër mbledhje të Qeverisë.

Këtu fillimisht u ndanë dy milionë euro edhe për Policinë e Kosovës, e pastaj edhe 390 mijë të tjera për organizatat e dala nga lufta.

Për këto, i pari i këtij institucioni tha se nuk i di detajet.

Mirëpo, më vonë në një komunikatë për media Qeveria ka sqaruar se vetëm gjatë mbledhjes së sotme janë ndarë mbi 2 milionë 850 mijë euro për qëllime të ndryshme.

Mbi dy milionë eurot u ndanë për pagat shtesë dhe punën pas orarit të pjesëtarëve të policisë.

Për ngritjen e bustit të senatorit Robert Dol, janë ndarë mjete financiare në vlerë 12, 725.12 euro.

Për mbulimin e shpenzimeve për shërim, për rreshterin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Petrit Hasanaj qeveria në detyrë ndau 12 mijë euro. 70 mijë i ndau për nevojat e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Hoti dhe 350 mijë euro u mor vendim të kalojnë nga fondi rezervë në buxhetin e Zyrës së Kryeministrit.

Këto nuk janë milionat e para që i ka ndarë Ramush Haradinaj që nga dorëheqja e tij nga të qenët shef i ekzekutivit.

Në nëntor ai ndau 70 mijë euro për Sami Lushtakun e tre të ftuar nga Gjykata Speciale, e 20 mijë euro u ndanë për rindërtimin e katedrales së Notre – Dame.

Këto vendime nuk shihen si të duhura nga ana e njohësve të ekonomisë.

Naim Gashi thotë se ndarja e shumave të tilla e afekton buxhetin e shtetit.

Ndërkaq, këto vendime dhe të tjera nuk do të duhej të ishin marrë sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi.

Ehat Miftaraj thotë se pret nga Qeveria e ardhshme t’i rishikojë të gjitha këto vendime.

Në mbledhjen e së martës, Qeveria në detyrë miratoi edhe projekt-rregulloren për rregullimin e pagave, shtesave mbi pagat dhe kompensimet tjera për të gjithë pjesëtarët e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe vendime të tjera.