Me fjalën “inshallah”, Haalandi njoftoi debutimin te City

Sulmuesi norvegjez Erling Haaland ka paralajmëruar debutimin e tij për Manchester Cityn në duelin kundër Bayernit, i cili do të luhet të shtunën pas mesnate.

“Qytetarët” mbrëmë zhvilluan ndeshjen e parë në përgatitje për sezonin e ardhshëm dhe fituan ndaj Club America nga Meksika me rezultat 2:1. Por nuk debutoi Haalandi.

Duke qenë se sot ka ditëlindjen, klubi i ka dërguar një mesazh urimi në faqen zyrtare dhe pas falënderimit ka bërë të ditur se minutat e para për klubin e ri do t’i luajë kundër Bayernit.

“Faleminderit. Debutimi kundër Bayern. Inshallah”, shkroi Haaland në reagimin në Twitter.

Haaland luajti gjithsej 89 ndeshje për Borussia Dortmundin, duke shënuar 86 gola dhe duke regjistruar 23 asistime. Edhe pse është vetëm 22 vjeç, ai tashmë ka shënuar gjithsej 135 gola me 36 asistime të regjistruara në karrierën e tij.

Norvegjezi iu bashkua radhëve të kampionëve të Anglisë për 75 milionë euro.