Më lini të mbjell një lule në Palestinë!

Në Gazën e blinduar, ku mezi gjejnë një korridor të ngushtë ndihmat humanitare, besimtarët nga e gjithë bota mund të shkojnë vetëm me zemrën dhe lutjet e tyre. Sa do të doja të isha atje në këto momente, jo për t’ua fshirë lotët, por për të mësuar se si të mbjell lule, atëherë kur duket se nuk ka më shpresë për vazhdimësinë e jetës!

Sa shumë ka bota për të mësuar nga populli i Palestinës, i cili ka rezistuar në mënyrë heroike për dekada me radhë, i cili për gati një shekull është aty ku thërret kijameti. Por vetëm një popull durimtar dhe që arrin të shohë përtej perdes, mund të mbjellë lule në ditë të vështira apokaliptike.

Ato pak pamje filmike që kanë arritur te ne, pavarësisht censurës së furishme mediatike, na lënë të kuptojmë dhe na mbushin me shpresë se e ardhmja i përket Palestinës…

– Fëmijët që lexojnë mbi rrënoja, po mbjellin lule në tokën e përgjakur të Palestinës…

– Fëmijët që luajnë mbi rrënoja, po mbjellin lule në tokën e përskuqur të Palestinës…

– Fëmijët që nuk u frikësohen predhave dhe vazhdojnë me guxim të shkojnë në shkollë, po mbjellin lule në tokën e shkrumbuar të Palestinës…

– Mjekët që vazhdojnë punën palodhur dhe në kushte ekstreme, me gjithë dhimbjen e humbjes së familjarëve, po mbjellin lule në tokën e përvuajtur të Palestinës…

– Gazetarët që nuk i druhen asnjë kërcënimi, dhe me këmbëngulje vazhdojnë punën, me gjithë brengën e humbjes së familjarëve, po mbjellin lule në tokën e dëshmorëve…

Një gjenocid i pamëshirshëm po shpaloset sot ndër sy të një bote të verbuar. Po ndodhin masakra të përgjakshme me përmasa të frikshme, të lejuara dhe mbështetura nga udhëheqës që u ka vdekur ndërgjegjja.

Por besimtarët nuk dëshpërohen, sepse janë të bindur se çdo pikë e gjakut të dëshmorëve po ujit lulet e shpresës, ndër sy të një bote e cila nesër do të ndihet e turpëruar para ngjyrave dhe aromës së tyre.

Ermira Pashaj