Më shpejt sesa të pulitësh qepallat! Roboti zgjidh në kohë rekord kubin e Rubikut

Një robot ka thyer rekordin për zgjidhjen e kubit të Rubikut duke arritur kohën më të shkurtër: 103 milisekonda.

Merita u takon disa studentëve të inxhinierisë në Purdue University në SHBA: Junpei Ota, Aden Hurd, Matthew Patrohay dhe Alex Berta. Arritja e tyre tashmë është zyrtare dhe e shpallur në faqen e Rekordeve Botërore Guinness.

Koha është më e shkurtër sesa përplasja e qepallave dhe tejkalon rekordin e mëparshëm prej 305  milisekondash që ishte vendosur nga një ekip i Mitsubishi. Para 9 vitesh, ishte hera e parë që rekordi binte nën 1 sekondë.

“Para se ta kuptosh që është zgjidhur, ne e kemi zgjidhur. Para se ta kuptosh që po lëviz, e kemi zgjidhur”, tha Patrohay.

Roboti super i shpejtë quhet Purdubik’s Cube dhe ka një mori risish. Kubi është dizenjuar në mënyrë të tillë që mos të prishet gjatë zgjidhjes. Shpejtësia dhe ngadalësia e lëvizjeve janë të optimizuara që roboti të ketë kontroll të plotë mbi kubin.

Sistemi vizual dallon ngjyrat njëkohësisht, ndërsa algoritmet përllogaritin sesi duhet të rrotullohen blloqet për ta zgjidhur.

Rekordi për zgjidhjet e kubit me ngjyra nga një njeri mbahet nga një 7-vjeçar kinez, Xuanyi Geng, që ka  arritur në 3.05 sekonda.