Përfaqësuesi i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, është takuar gjatë fundjavës me djalin më të madh të shahut të rrëzuar të Iranit, Reza Pahlavi, raportoi Axios të martën, transmeton Anadolu.
Ky takim i raportuar me Pahlavin ishte kontakti i parë që nga shpërthimi i protestave në mbarë vendin në Iran.
Përmendja e shpeshtë e emrit të Pahlavit gjatë protestave të fundit ka surprizuar administratën amerikane, ka thënë një zyrtar amerikan për Axios.
Së fundmi, Pahlavi ka pasur paraqitje të shpeshta në mediat amerikane. Megjithatë, Trump refuzoi ta mbështeste atë gjatë një interviste javën e kaluar.
Dinastia Pahlavi sundoi Iranin nga viti 1925 deri në Revolucionin Islamik të vitit 1979. Shahu i rrëzuar vdiq në Egjipt në vitin 1980.
Djali i tij, Pahlavi, ka dalë si një figurë kryesore e opozitës në mes të demonstratave aktuale.
Protestat në Iran filluan muajin e kaluar për shkak të përkeqësimit të kushteve ekonomike dhe zhvleftësimit rekord të monedhës kombëtare, rialit. Teherani e ka akuzuar Washingtonin dhe Tel Avivin për mbështetjen e asaj që e karakterizon si “trazira” dhe “terrorizëm”.
Nuk ka shifra zyrtare për viktimat, por Agjencia e Lajmeve për Aktivistët e të Drejtave të Njeriut (HRANA), një organizatë me bazë në SHBA, vlerëson se numri i të vdekurve ka arritur të paktën 646, përfshirë forcat e sigurisë dhe protestuesit, me mbi 1.000 të plagosur.
HRANA raportoi gjithashtu se të paktën 10.721 persona janë ndaluar gjatë protestave në 585 lokacione në mbarë vendin, përfshirë 186 qytete në të 31 provincat.




