Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka diskutuar mundësinë e një raundi të dytë sulmesh ndaj Iranit gjatë takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump, raportoi media amerikane, transmeton Anadolu.
Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu i përcolli shqetësimet e Izraelit për programet bërthamore dhe raketore të Iranit, si edhe përpjekjet e Hezbollait për të rindërtuar arsenalin e tij të raketave me rreze të gjatë veprimi në Liban, tha Axios.
Një zyrtar amerikan ka thënë se diskutimi përfshiu “mundësinë e sulmimit të Iranit sërish në vitin 2026”, gjashtë muaj pas luftés 12-ditore midis aleancës SHBA-Izrael dhe Iranit.
Lufta synoi infrastrukturën bërthamore dhe aftësitë raketore të Iranit.
Trump, i cili më parë e përshkroi fushatën e qershorit si një “sukses të jashtëzakonshëm”, sipas medias, ka thënë: “Nëse Irani përpiqet të rindërtojë programin e tij bërthamor, SHBA-ja do ta shkatërrojë sërish”.
Megjithatë, zyrtari ka shtuar se, ndonëse Trump mund të mbështesë një ofensivë të re nëse shihet se Irani po ndërmerr “hapa realë dhe të verifikueshëm” për ringjalljen e përpjekjeve të tij bërthamore, “sfida do të jetë të biem dakord se çfarë do të thotë saktësisht rindërtim”.
Izraeli ka ngritur sërish alarme në javët e fundit për zhvillimin raketor të Iranit dhe e ka akuzuar Hezbollahun për grumbullim të armëve të reja me rreze të gjatë veprimi në Liban.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u përgjigj duke paralajmëruar për kundërpërgjigje “të ashpër” ndaj çdo akti agresioni.
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi i bëri thirrje Trumpit të rifillojë negociatat “me frymë respekti”.
Sipas zyrtarit amerikan, nuk është arritur asnjë marrëveshje për një afat kohor apo pragje për veprime të mundshme të ardhshme ushtarake.
Zyra e Kryeministrit të Izraelit ka refuzuar të komentojë, ndërsa Shtëpia e Bardhë e ka drejtuar Axios-in te deklaratat publike të Trumpit.
Gjatë luftës 12-ditore me Izraelin në qershor, ushtria amerikane goditi tri objekte kryesore bërthamore iraniane – Fordo, Natanz dhe Isfahan – duke përdorur bomba depërtuese.
Sulmet erdhën më shumë se një javë pasi Izraeli ndërmori një sulm të papritur ndaj Iranit, duke vrarë drejtues të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë dhe duke shënjestruar gjithashtu disa nga objektet bërthamore.
Sipas lajmit, Trump gjithashtu ka rënë dakord të ecë përpara me fazën e dytë të marrëveshjes për armëpushim në Gaza, duke premtuar mbështetje për veprim ushtarak izraelit nëse Hamasi nuk çarmatoset.
Bordi i Paqes për Gazën pritet të mblidhet në Davos më 23 janar.
Që nga tetori 2023, ushtria izraelite ka vrarë mbi 71 mijë persona dhe ka plagosur më shumë se 171 mijë të tjerë në ofensivën e saj, e cila e ka lënë enklavën në gërmadha. Organizata e Kombeve të Bashkuara ka vlerësuar se kostot e rindërtimit arrijnë në rreth 70 miliardë dollarë.







