Mehmeti: Vendimet e Gjykatës Supreme, të ndikuara nga bandat e Haradinajt

Dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmetit, i cili po vuan dënimin me burg prej 30 vjetësh në Burgun e Sigurisë së Lartë, ka reaguar ndaj kumtesës së Prokurorisë së Shtetit, të bërë një ditë më parë, lidhur me deklarimet e Mehmetit, të bëra nga ky i fundit në një intervistë televizive.

Mehmeti përmes një letre dërguar mediave tregon se në vitin 2012 i ka dërguar materiale, deklarata dhe videoincizime, kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashit, për hetimin e vrasjeve të pasluftës, me theks të veçantë për rrafshin e Dukagjinit.

“Mirëpo po përmes policisë Ismet Kabashi më ka kthyer përgjigje se nuk guxon t’i hetojë këto raste”, shkruan Mehmeti.

Ai në letrën e tij thotë se “jam i shantazhuar nga gjykatat vendore, është duke pritur përgjigje nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vendimet e Gjykatës Supreme, e cila nuk lejon zbutjen e dënimit edhe pse ka prova të reja dhe është e mbështetur edhe nga prokurori dhe kryeprokurori i EULEX-it”.

“E them me përgjegjësi penale dhe morale se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt, është fakt se dy ditë pasi është zgjedhur kryeministër Haradinaj, Gjykata Supreme e Kosovës me vendim të jashtëligjshëm e ka liruar nga burgu Faik Shaqirin, i cili ka një aktakuzë të ngritur për vrasjen e policëve, për të cilët unë jam dënuar dhe është njëri nga vrasësit e Sebahate Tolajt dhe Tahir Zemajt”, ka shkruar ai.

Letra e plotë e Mehmetit:

“Deklarim për media ndaj reagimit të Prokurorisë së Kosovës

Unë, Shkumbin Mehmeti, njoftoj publikun se në vitin 2012, përmes policisë së Kosovës i kam dërguar materiale, deklarata dhe videoinçizime, kryeprokurorit të shtetit Ismet Kabashit, për hetimin e vrasjeve të pasluftës, me theks të vecantë për rrafshin e Dukagjinit. Mirëpo po përmes policisë Ismet Kabashi më ka kthyer përgjigje se nuk guxon t’i hetojë këto raste.

Në ndërkohë, për rastin në të cilin unë jam i dënuar, kam filluar bashkëpunimin me prokurorinë e EULEX-it, kurse për rastet tjera, kam pasur kontakte me policinë e Kosovës, dmth për zbulimin e vrasjeve të pasluftës – vrasjeve politike, dhë është normale që kam kërkuar të kem rigjykim.

Me datën 27.01.2017, gjatë takimit me prokurorin e Prukurorisë Speciale të Kosovës, Haki Gecajn e kam tërhequr kërkesën time për rishikim, por kam kërkuar që benefitet dhë ligji të jetë në favorin tim, dmth, të kem përfitime me ato që i lejon ligji, që do të thotë të aplikohët ligji më i favorshëm për mua. Prokurori më ka thënë se do konsultohem me ligjin dhe të njoftoj, por, unë që nga ajo ditë e deri më sot, nuk kam marrë përgjigje nga prokurori.

Kam pasur edhe kontakte tjera me prokurorë dhe policë dhe jo çdoherë kam kërkuar rigjykimin, jo për cdo rast, por prokuroria e shtetit nuk ka qenë e gatshme që të arrijë marrëveshje me mua.

Sa i përket zbutjes së jashtëzonkonshme të dënimit, prokuroria e EULEX-it , pasi ka bërë rihetimin e rastit për të cilin jam dënuar unë, ka ardhë në përfundim së unë nuk kam kryer vrasje dhe ka kërkuar të këtë zbutje të jashtëzakonshme te dënimit dhe të më heqet akuza e vrasjes, por Gjykata Supreme e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e prokurorit për zbutje të jashtëzakonshme të dënimit. Poashtu prokurori i EULEX-it në vitin 2014 ka dhënë mendim pozitiv lidhur me kërkesën që ka bërë avokati im për rishikim të procedurës penale, pasi që janë gjetur prova të reja, por Gjykata Themelore e kryesuar nga Hamdi Ibrahimi e ka refuzuar kërkesën e avokatit dhe pëlqimin e prokurorit për rishikim të procedurës.

Vendimet e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës Supreme janë marrë nën ndikimin e politikës dhe kryerësve të vrasjeve politike, nga frika se nëse unë lirohem do të bashkëpunojë me prokurorinë për ndriçimin e vrasjeve tjera politike, siç është rasti i Tahir Zemajt, Smajl Hajdarajt dhe Sebahate Tolajt.

Unë jam i shantazhuar nga gjykatat vendore, pasi që ligjin e aplikojnë në disfavor timin edhe nuk lejojnë zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit apo rigjykimin, të cilat janë kërkuar dhe mbështetur edhe nga Prokuroria Speciale e EULEX-it, nga frika se mund të jem dëshmitar i ndriçimit të vrasjeve tjera politike.

Kërkesën time me pëlqimin e prokurorit të EULEX-it për zbutjen e jashtëzakonshme të dënimit, dhe vendimet skandaloze të Gjykatave do t’i publikojë në të ardhmen e afërt

E them me përgjegjësi penale dhe morale se vendimet e Gjykatës Supreme janë ndikuar direkt nga bandat e Ramush Haradinajt, është fakt se dy ditë pasi është zgjedhur kryeministër Haradinaj, Gjykata Supreme e Kosovës me vendim të jashtëligjshëm e ka liruar nga burgu Faik Shaqirin, i cili ka një aktakuzë të ngritur për vrasjen e policëve, për të cilët unë jam dënuar dhe është njëri nga vrasësit e Sebahate Tolajt dhe Tahir Zemajt.

Unë jam duke pritur përgjigje nga Gjykata Kushtetuese lidhur me vendimet e Gjykatës Supreme, e cila nuk lejon zbutjen e dënimit edhe pse ka prova të reja dhe është e mbështetur edhe nga prokurori dhë kryeprokurori i EULEX-it.

Për hir të familjeve të viktimave, që janë viktima të këtij grupi kriminal dhe për shkak të proceseve të Kosovës që ka mbetur peng i këtyre vrasjeve, gjithëherë do të jem i gatshëm të bashkëpunojë me prokurorinë, por për formën dhe formatin do të konsultohem me avokatin tim dhe gjatë javës do të dalë me një përgjigje tjetër” (sic.), ka shkruar Mehmeti.