Kryeministrja italiane Giorgia Meloni deklaroi sot se lufta e Rusisë në Ukrainë “nuk duhet dhe nuk mund të zgjerohet në Mesdhe”, pasi Kievi konfirmoi se ka goditur dy anije në dhe pranë qytetit lindor libian të Bengazit, transmeton Anadolu.
“Duhet të jemi shumë të qartë me miqtë dhe partnerët tanë ukrainas”, u tha Meloni gazetarëve në Bruksel, përpara samitit të liderëve të BE-së kushtuar buxhetit të bllokut për periudhën 2028–2034, sipas agjencisë së lajmeve ANSA.
Meloni tha se çështjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën e sheh veçmas nga sulmet në Libi dhe bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Kievin.
“Mendoj se duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për të vazhduar ta ndihmojmë Ukrainën të mbrohet”, tha ajo, duke shtuar se Italia duhet të mbrojë gjithashtu kufijtë dhe qytetarët e saj. Ajo tha se këtë qëndrim ia kishte bërë të qartë edhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Më 22 nëntor, dronë detarë shënjestruan një anije ushtarake ruse të ankoruar në portin e Bengazit dhe një anije tregtare me flamur të Maltës në ujërat pranë qytetit. Burime shëndetësore njoftuan se dhjetë persona u plagosën nga sulmi në port.
Zelenskyy publikoi pamje filmike të sulmeve në platformën sociale amerikane X, duke konfirmuar se Ukraina qëndron pas tyre. Ndërkaq, Meloni tha se liderët e BE-së janë ende larg arritjes së një marrëveshjeje për buxhetin e ardhshëm afatgjatë të bllokut.




