Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe 12 të tjerë u plagosën sot pasi një automjet transporti komercial mori flakë përgjatë autostradës Lagos-Badagry, në jugperëndim të Nigerisë, njoftoi Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Shpëtimit i Shtetit të Lagosit, transmeton Anadolu.
Incidenti ndodhi pranë zonës Magbon të Badagryt ndërsa agjencia bëri të ditur se viktimat ishin dy gra dhe katër burra, të gjithë të rritur. Drejtoresha e përgjithshme e agjencisë, Margaret Adeseye tha se zjarrfikësit morën një telefonatë emergjente në orën 8:44 sipas kohës lokale dhe u nisën nga stacioni zjarrfikës në Badagry.
Ajo tha se zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje në orën 9:13 dhe vunë zjarrin nën kontroll, ndërkohë që zhvillonin operacionet e shpëtimit. Sipas agjencisë, 12 persona u shpëtuan me shkallë të ndryshme djegiesh dhe u dërguan për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm të Badagryt.
Shërbimi zjarrfikës bëri të ditur se të gjashtë viktimat që humbën jetën ishin djegur aq rëndë sa nuk mund të njiheshin, duke e bërë të vështirë identifikimin e tyre. Gjetjet paraprake treguan se shoferi kishte ruajtur pesë litra karburant shtesë brenda automjetit, me sa duket me qëllim që ta përdorte për të rimbushur rezervuarin.
Agjencia tha se dyshohet që karburanti shtesë të ketë përkeqësuar zjarrin, megjithëse hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes. Aksidentet rrugore mbeten shqetësim i madh për sigurinë në Nigeri, ku mirëmbajtja e automjeteve, shpejtësia dhe shkeljet e tjera të rregullave të trafikut janë ndër problemet që autoritetet e sigurisë rrugore i ngrenë shpesh.
Autostrada Lagos-Badagry është korridor i rëndësishëm transporti që lidh Lagosin, qendrën tregtare të Nigerisë, me komunitetet përgjatë kufirit jugperëndimor të vendit me Beninin.







