Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Merz premton qëndrim të ashpër ndaj partisë së ekstremit të djathtë AfD...

Merz premton qëndrim të ashpër ndaj partisë së ekstremit të djathtë AfD para zgjedhjeve rajonale në Gjermani

Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi me partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë (AfD), duke premtuar se do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e tij për të penguar ardhjen e saj në pushtet në ndonjë nga shtetet federale, transmeton Anadolu.

“Nëse një parti e ekstremit të djathtë do të hynte në qeveri në Gjermani, kjo do të kishte një domethënie krejtësisht tjetër. Në Gjermani, unë do të bëj gjithçka që kam në dorë për ta parandaluar këtë”, tha Merz gjatë një konference për media në Berlin.

Lideri konservator hodhi poshtë pretendimet se AfD-ja mund të zbusë qëndrimet e saj ose të humbasë mbështetjen nëse bëhet pjesë e një qeverie koalicioni, siç ka ndodhur së fundmi në Holandë, si dhe theksoi se historia e Gjermanisë i bën të pavlefshme krahasimet e tilla.

“Nuk nxjerr asnjë mësim prej kësaj për Gjermaninë, sepse situata në Gjermani është ndryshe. Kjo lidhet edhe me historinë tonë. Për këtë arsye, për mua ajo nuk shërben as si standard, as si shembull dhe as si rast studimor”, tha Merz.

Deklaratat e tij vijnë në prag të zgjedhjeve rajonale të shtatorit në tre shtete federale, ku AfD-ja po shënon rezultate të forta në sondazhe. Partia kryeson me 41 për qind në Saksoni-Anhalt dhe me 36 për qind në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore, duke rritur shqetësimet se mund të dalë forca më e madhe politike.

Kancelari Merz tha se është optimist se partia e tij, Unioni Kristian Demokrat (CDU), do të ketë një rezultat të mirë në zgjedhjet e ardhshme rajonale dhe do të jetë në gjendje të formojë qeveri koalicioni me partitë e tjera demokratike në këto shtete.

“Fushatat zgjedhore sapo kanë nisur. Mbetem i bindur se do të arrijmë ta pengojmë AfD-në të sigurojë shumicën parlamentare në cilindo prej këtyre tre shteteve, veçanërisht në Saksoni-Anhalt dhe Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore. Do ta ruaj këtë optimizëm deri në orën 18:00 të mbrëmjes së zgjedhjeve”, tha Merz.

Merz gjithashtu u bëri thirrje votuesve të zhgënjyer me qeverinë aktuale që të mos ndikohen nga mesazhet e AfD-së në rrjetet sociale, por të shqyrtojnë përpjekjet reformuese të koalicionit qeverisës, të cilat sipas tij, kanë filluar të japin rezultate në rimëkëmbjen ekonomike dhe mirëqenien sociale.

“Shikoni me kujdes. Mos u mbështetni vetëm te aktiviteti në rrjetet sociale për t’u informuar, por shikoni se çfarë po përpiqet të realizojë qeveria”, tha kancelari gjerman.

“Ne po përpiqemi, me gjithë dijen dhe ndërgjegjen tonë, ta stabilizojmë vendin dhe ta çojmë përpara. Nuk duam konflikte shoqërore e politike, përkundrazi synojmë nivelin më të lartë të mundshëm të konsensusit në shoqëri”, shtoi ai.