Mesazh nga Maserati: Klientët nuk duan vetura elektrike sportive

Davide Danesin, drejtuesi i inxhinierisë në Maserati, tha për Autocar se disa njerëz kanë një perceptim të gabuar për super-automjetet me bateri.

Ai shtoi se ende ka klientë që kërkojnë vetura mekanike, çka provohet edhe nga ata klientë që nuk ishin të interesuar për versionin elektrik të MC20.

Për këtë arsye Maserati hoqi dorë nga modeli elektrik. Konkretisht, mungesa e zërit sportiv (që nuk është sintetike) dhe pesha më e madhe e automjetit elektrik largojnë klientët.

Plani është t’u ofrohet njerëzve ajo që duan: një eksperiencë e pastër me motor me djegie të brendshme, në këtë rast me ndihmën e motorit V6 Nettuno të kompanisë. Danesin madje paralajmëron edhe kthimin e kutisë manuale të shkallëve.

Drejtori ekzekutiv i Alfa Romeos dhe Maseratit, Santo Ficili, paralajmëron se dy markat italiane në të ardhmen do të bashkëpunojnë më ngushtë, duke nënkuptuar mundësinë e zhvillimit të përbashkët të një super-automjeti me motor benzinë.

Bashkimi do të ndodhë pas modelit 33 Stradale, i cili pjesërisht ka marrë karrocerinë prej karboni dhe kornizat prej alumini nga Maserati MC20.

Autocar supozon se super-automjeti i Maseratit do të jetë një GT i bazuar në Granturismo, me një version të përmirësuar të motorit 3.0-litërsh me dy turbo, që do të ofrojë më shumë se 621 kuaj fuqi, të disponueshme në MC20 dhe pasardhësin e tij MCPura.