Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mësime nga Ofcom për Turqinë: mbrojtja e fëmijëve nga algoritmet

Mësime nga Ofcom për Turqinë: mbrojtja e fëmijëve nga algoritmet

Betejat me anën “vrastare” të teknologjisë: në Shqipëri, ankth për kryeministrin

Dr. Muhammed Ersin Toy / Strateg i Medias

Rregullorja për mediat sociale e miratuar në Turqi në vitin 2026 dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare më 1 Maj, ka hapur dyert e një epoke të re sa i përket marrëdhënies së fëmijëve me platformat digjitale. Sipas kësaj rregulloreje, platformat e rrjeteve sociale, të cilët nuk do të mund t’u ofrojnë shërbime fëmijëve që nuk kanë mbushur moshën 15 vjeç, do të jenë të detyruar të marrin masat e nevojshme, përfshirë këtu edhe verifikimin e moshës. Me këtë rregullore, kompanive të rrjeteve sociale u ngarkohet gjithashtu detyrimi për të ofruar shërbime të diferencuara (të ndara) për fëmijët që kanë mbushur moshën 15 vjeç. Fakti që kjo dispozitë do të hyjë në fuqi 6 muaj pas datës së publikimit, i jep mundësi Turqisë të përfundojë përgatitjet e nevojshme teknike, juridike, institucionale dhe mbikëqyrëse.

Në këtë pikë, rregullorja e rrjeteve sociale dhe përvoja e zbatimit të saj në Britaninë e Madhe ofrojnë një shembull të rëndësishëm lidhur me pasojat e mundshme të rregulloreve në Turqi. Detyrimet lidhur me sigurinë e fëmijëve të Ligjit për Sigurinë Online, i cili u miratua në Britani më 26 Tetor 2023, hyrën në fuqi plotësisht më 25 Korrik 2025. Ofcom, rregullatori i komunikimit dhe i sigurisë online në këtë vend, ka filluar tashmë të monitorojë përputhshmërinë e platformave më të përdorura nga fëmijët me këto detyrime ligjore.

Mbikëqyrja e dizajnit algoritmik dhe e sistemeve të rekomandimit të përmbajtjes

Ofcom ka kërkuar nga Facebook, Instagram, Roblox, Snapchat, TikTok dhe YouTube që të ndërmarrin hapa konkretë në katër fusha kryesore: masat e mbrojtjes kundër abuzimit të fëmijëve; njoftimet e përmbajtjes (feed-et) e paramenduara për fëmijë; testimet e produkteve dhe politikat e verifikimit të moshës. Përvoja e zbatimit në Britani tregon se rregulloret për sigurinë online të fëmijëve, përveç kufijve të moshës, duhet të përfshijnë edhe arkitekturën e platformës, sistemet e rekomandimit dhe dizajnet algoritmike.

Një nga çështjet ku raporti tërheq vëmendjen e veçantë është edhe qasja e TikTok-ut dhe YouTube-it ndaj sigurisë së fëmijëve. Sipas Ofcom-it, asnjëra nga këto dy platforma nuk mori përsipër ndonjë ndryshim të rëndësishëm për t’i bërë më të sigurta njoftimet e përmbajtjes që u ofrohen fëmijëve, përkundrazi, ato pretenduan se sistemet e tyre aktuale janë tashmë të sigurta për ta. Megjithatë, Ofcom deklaroi se TikTok-u dhe YouTube dështuan të tregonin qartë se si do t’i bënin më të sigurta për fëmijët njoftimet e përmbajtjes që bazohen në algoritme dhe sisteme rekomandimi. Kjo situatë ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes diskutimet mbi rolin e algoritmeve në përcaktimin e përmbajtjes me të cilën ndeshen fëmijët. Përvoja e Britanisë tregon se në vendet ku do të zbatohen rregullore të ngjashme, dizajni algoritmik dhe sistemet e rekomandimit të përmbajtjes, përveç kufijve të moshës, do të kthehen në një pjesë kryesore e procesit të auditimit.

Vetëm panelet e kontrollit prindëror nuk mjaftojnë

Kompanitë e rrjeteve sociale shpeshherë i paraqesin mjetet e tyre ekzistuese, panelet e kontrollit prindëror apo politikat e përmbajtjes si masa të mjaftueshme sigurie. Megjithatë, vlerësimi i Ofcom-it tregon se ka dallime të rëndësishme midis deklaratave të platformave për sigurinë dhe përvojave reale online të fëmijëve. Sipas raportit, disa platforma, në vend që të ndryshojnë sistemet bazë që formësojnë rrymat e përmbajtjes, ofrojnë si zgjidhje thjesht mjetet e kontrollit që u vënë në dispozicion përdoruesve (prindërve).

Përvoja në Britani tregon se edhe Turqia mund të përballet me një proces të ngjashëm. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që, veçanërisht nga platforma si YouTube dhe TikTok, të mos kërkohen thjesht deklarata të përgjithshme sigurie, por informacione dhe dokumente të auditueshme që tregojnë se si funksionojnë saktësisht rrymat e përmbajtjes, sipas cilave kritere rekomandohen ato dhe me çfarë metodash teknike kufizohen përmbajtjet e dëmshme. Ekspertët tërheqin vëmendjen tek rëndësia e sigurimit të një transparence më të madhe mbi funksionimin e algoritmeve dhe marrjes parasysh të përvojave reale online të fëmijëve në proceset rregullatore.

Mënyra se si u sillen përmbajtjet fëmijëve është e rëndësishme

Algoritmet sot ndodhen në qendër të debateve që synojnë platformat e rrjteve sociale. Po shihet se vetë algoritmi ka arritur në një pikë ku është bërë më i rëndësishëm se sa përmbajtja vetë. Një nga gjetjet kryesore në raportin e Ofcom-it lidhet me rolin që luajnë sistemet e rekomandimit të platformave në përcjelljen e përmbajtjeve të dëmshme tek fëmijët. Sipas raportit, përmbajtjet e dëmshme me të cilat ndeshen fëmijët nuk vijnë gjithmonë si rezultat i një zgjedhjeje të vetëdijshme apo i një kërkimi të drejtpërdrejtë nga ana e tyre. Mekanizmat e rekomandimit të përmbajtjes, rrymat algoritmike dhe dizajnet e platformave që synojnë rritjen e ndërveprimit të përdoruesve luajnë gjithashtu një rol përcaktues në ekspozimin e fëmijëve ndaj këtyre përmbajtjeve. Ky vlerësim tregon se në rregullimet e rrjeteve sociale, vëmendja po zhvendoset jo vetëm tek ajo çfarë përmbajnë ato, por tek mënyra se si kjo përmbajtje u shpërndahet përdoruesve.

Prandaj, çështja nuk kufizohet vetëm me ekzistencën e përmbajtjes së dëmshme. Diskutimi kryesor përqendrohet në atë se drejt cilave përmbajtje, sa shpesh dhe përmes cilave mekanizma rekomandimi i orientojnë platformat fëmijët. Sistemet e rekomandimit dhe dizajnet e platformave luajnë një rol të madh në shfaqjen para fëmijëve të përmbajtjeve të rrezikshme si bixhozi, bastet, përmbajtjet pornografike, dhuna, alkooli, sjelljet e vetëlëndimit apo reklamat mashtruese. Kjo situatë e zhvendos arkitekturën e platformave të rrjteve sociale dhe përgjegjësinë e mbikëqyrjes në qendër të debateve rregullatore. Paditë e ngritura ndaj kompanive të ndryshme të rrjteve sociale, me në krye TikTok-un, dëshmojnë se sistemet algoritmike që i mbajnë fëmijët për një kohë të gjatë para ekranit dhe që ndikojnë në sjelljen e përdoruesit, tashmë janë bërë objekt jo vetëm i diskutimeve akademike, por edhe atyre juridike.

Raporti i Ofcom-it, për Turqinë, nuk përbën thjesht një shembull zbatimi nga jashtë, por ofron edhe përvoja me vlerë që mund të merren parasysh gjatë procesit të rregullimit të brendshëm. Vlerësimet e theksuara në raport tregojnë se rreziqet me të cilat përballen fëmijët në mjedisin online nuk kufizohen vetëm me përmbajtjet; mënyra se si këto përmbajtje u ofrohen fëmijëve është po aq e rëndësishme sa vetë përmbajtja. Në këtë kuadër, në rregulloret për mbrojtjen e fëmijëve, përveç kufijve të moshës dhe kontrollit të përmbajtjes, pritet që sistemet algoritmike, mekanizmat e rekomandimit dhe dizajnet e platformave të marrin një peshë dhe rëndësi edhe më të madhe.