Messi në lot: Momenti më i vështirë në karrierën time sportive

Legjenda Lionel Messi në konferencën përshëndetëse për media si pjesë e Barcelonës ka shfaqur emocione të shumta. Ai me të hyrë në sallën e konferencës shpërtheu në lot.

Mori një faculetë nga bashkëshortja për të fshirë sytë. Në sallë ishin familja e Messit, bashkëlojtarët e ish-bashkëlojtarët dhe krerët e klubit.

Messi ka thënë se synimi i tij ka qenë të qëndrojë në klub dhe nuk ishte përgatitur për largimin.

“Është e vështirë për mua, pas aq shumë vjetësh nuk jam i gatshëm për këtë. Këtë vit familja ime dhe unë ishim të bindur se do të qëndronim, do të qëndronim në shtëpi. E kemi si shtëpi tonë. Ka qenë kohë e jashtëzakonshme. Sot duhet të them lamtumirë. Kam kaluar aq shumë vite, gjithë jetën time, që nga mosha 13-vjeçare. Pas 21 vjetëve në klub po largohem me bashkëshorten e tre fëmijët e mi katalan-argjentinas. Nuk mund të them se nuk do të kthehem. I kam premtuar fëmijëve të mi se kjo është shtëpia jonë. Kam jetuar shumë përvoja të bukura, por edhe të këqija. Më kanë ndihmuar gjitha këto të rritem, përmirësohem e të bëhem personi që jam sot. Kam dhënë çdo gjë nga dita e parë deri në të fundit. Jam shumë falënderues. Kurrë nuk kam menduar largimin në këtë mënyrë”, ka thënë Messi 35-vjeçar në konferencë për media.

Messi ka thënë se vitin e kaluar donte të largohej, por këtë vit ishte i vendosur të qëndronte.

“Shumë gjëra më kanë shkuar në mendje. E në të njëjtën kohë jam disi në terr. Nuk po mund të mendojë se çfarë të them. Nuk po mund të përballem me realitetin se largohem e të ndryshojë jetën tërësisht. Nga mosha e re kam qenë në klub të parë. E tash do të fillojmë të ndryshojmë, do të jetë ndryshim i vështirë veçanërisht për familjen. Kanë menduar se do të qëndrojnë në qytet. Por e di se do të jemi në rregull. Do të jetë ndërrim i vështirë, por duhet të pranojmë, të ecim para”, ka thënë Messi. “Kam bërë çdo gjë të mundur, po ashtu presidenti Laporta dhe klubi. Por nuk ishte e mundur për shkak të La Ligas. Janë thënë shumë gjëra, se unë nuk dua të vazhdojë. Kam bërë çdo gjë. Vitin e kaluar nuk doja të qëndroja, këtë vit doja të qëndroja por nuk munda”.

Ai tha se kishte shprehur gatishmërinë të pranonte pagë 50 për qind më të vogël.

“Kam ofruar të reduktojë pagën për 50 për qind. Nuk më kanë pyetur asgjë tjetër. Lajmi se kam kërkuar 30 për qind më tepër është gënjeshtër. Shumë gjëra që njerëzit po thonë janë gënjeshtër. Siç thash kam bërë çdo gjë”, tha Messi.

Messi tha se është momenti më i vështirë në karrierën sportive.

“Padyshim momenti më i vështirë në karrierën time sportive. Kam pasur shumë momente të vështira në karrierë, shumë humbje, por në fund, të mos kthehem, të stërvitem në fushë. Është fundi me këtë klub. Tash do të nisë një storie e re, po është një nga momentet më të vështira për mua”, ka thënë Messi.

Pak ditë më parë Barcelona njoftoi se ka ndarë rrugët me Messin, pasi ka qenë e pamundur për të vazhduar kontratën me argjentinasin. Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka thënë se vazhdimi i kontratës me Messit do të çonte klubin drejt falimentimit.

Në pyetjen e gazetarëve se si do të jetë Barcelona pa Messin, argjentinasi ka thënë se njerëzit do të mësohen, ndonëse në fillim do të jetë çuditshëm.

“Do të vijnë më tepër lojtarë, jo vetëm tash por në të ardhmen. Siç ka thënë Laporta, ky klub është më i rëndësishëm sesa çdo person. Njerëzit do të mendohen. Në fillim do të jetë çuditshëm, por do të mësohen njerëzit. Barcelona ka skuadër me lojtarë të mëdhenj”, tha Messi.

Messi sa i përket presidentit të La Ligas, Javier Tebas, ka thënë se nuk ka asnjë problem me të. Ai ka thënë se thjeshtë nuk ka qenë e mundur të arrihet marrëveshja me klubin shkaku i La Ligas.

Messi në konferencë ka thënë se kanë ardhur shumë oferta pas lajmit për largimin nga Barcelona.

Ai ka thënë se ende nuk ka arritur ndonjë marrëveshje me ndonjë klub momentalisht. Ka shtuar se kalimi te Paris Saint-Germaini është i mundur.

Messi ka thënë se shpreson të kthehet te Barcelona në të ardhmen e të kontribuojë në në mënyrë apo tjetrën. /koha