Mevludi, megjithëse erdhi si traditë pas kohës së Pejgamberit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ka marrë dimensione transcendentale dhe tradicionale tejkohore, sepse përshkon historinë duke bashkuar spiritualitetin, kulturën, moralin dhe bashkësinë globale myslimane në një mënyrë që është ende e rëndësishme deri më sot, dhe që shpresojmë se, në një formë ose në një tjetër, do të vazhdojë edhe më tej.
Mevludi nuk është vetëm një përkujtim i një ngjarjeje të madhe që ka ndodhur në të kaluarën, por është gjithashtu një traditë që e mban gjallë lidhjen shpirtërore midis besimtarëve dhe modelit pejgamberik.
Nga etimologjia e fjalës arabe “mevlidu en-nebij”, kuptohet si “manifestim i lindjes së Pejgamberit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të)”.
Kur flasim për aspektet tradicionale të kësaj ngjarjeje, nënkuptojmë jo vetëm aspektin historik që ajo nderon, por edhe rëndësinë e saj hyjnore, shpirtërore, kulturore dhe shoqërore gjatë viteve, dekadave, shekujve dhe mijëvjeçarëve.
1. Dimensioni shpirtëror
Mevludi mund të shërbejë si një “moment reflektimi” mbi jetën, personalitetin dhe misionin e Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) duke nxitur një lidhje shpirtërore midis brezave.
Besimtarët, duke manifestuar me modesti mesazhin e urtësisë dhe triumfit të kësaj tradite, riafirmojnë lidhjet e tyre me Zotin dhe thellojnë dashurinë Pejgamberike duke rishikuar mësimet e tij.
Prandaj, Mevludi është një pikëmbështetje e përjetshme shpirtërore, sepse mësimet, mirësia dhe shembujt e jetës së Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) janë të përjetshme.
2. Dimensioni kulturor
Në shumë kultura myslimane, përfshirë ato në Bosnjë, Shqipëri, Turqi dhe në botën arabe, Mevludi shpesh shprehet përmes poezisë, himneve dhe rrëfimeve që manifestojnë, nga njëra anë, identitetin autentik dhe unik të secilit komunitet dhe, nga ana tjetër, vlerat universale në kohezionin shpirtëror.
Lutjet, recitimet dhe leximet bashkojnë familjet dhe komunitetet në këtë kohë të largimeve, tëhuajsimeve dhe diversiteteve, duke krijuar lidhje të qëndrueshme, qoftë edhe sporadike.
Andaj, Mevludi mund të konsiderohet si një mjet i bukur dhe i thjeshtë për t’ua mësuar brezave të ardhshëm jetën pejgamberike.
3. Dimensioni moral dhe etik
Programi i Mevludit mund të ofrojë udhëzime mbi edukatën, moralin dhe etikën, mbi mëshirën dhe personalitetin shumëdimensional të Pejgamberit Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të).
Pavarësisht se ai ndërroi jetë në shekullin e shtatë (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të), historia e jetës së tij ende ofron mësime morale të rëndësishme për shoqërinë moderne.
4. Dimensioni social
Shumë komunitete në mbarë botën e shfrytëzojnë këtë rast për të realizuar projekte humanitare, duke manifestuar bujari, duke ushqyer dhe duke ndihmuar të varfrit dhe duke nxitur kohezionin e solidaritetin shoqëror, pa marrë parasysh përkatësinë fetare apo etnike.
Mevludi ka qenë prej kohësh dhe shpresojmë të mbetet një forum empatie me rrënjë hyjnore, si dhe një burim harmonie dhe paqeje midis brezave në dimensione tejkohore.
Përgatiti: Prof.Dr. Rrahman Ferizi








