Migrimi i ballkanasve s’ka të ndalur

Përhapja pandemisë Covid-19 në vitin 2020 mendohet të jetë njëra prej arsyeve e cila e ka ngadalësuar hovin e qytetarëve të Ballkanit për t’u larguar nga vendet e tyre në kërkim të një jete më të mirë.

Shqetësim i madh për vendet e Ballkanit Perëndimor. Çdo ditë e më shumë rritet numri i njerëzve të pashpresë për një jetë me perspektivë në këtë rajon. Kjo mund të vërtetohet në bazë të të dhënave statistikore të analizuara nga TRT Balkan mbi eksodin masiv të migrimit të popullsisë.

Shqipëria lider për emigrim në rajon

Në periudhën e vitit 2008-2018 sipas një hulumtimi nga Instituti EPIK, Shqipëria rradhitet e para në rajon për migrim me 1.249.706 të migruar brenda 10 viteve apo 44 për qind e popullsisë së përgjithshme. Llogaritur më 1 janar të vitit 2022 numri i popullatës në Shqipëri numëron 2.793.592 banorë.

Largim i madh nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova

Zëvendëskryeministri i Çështjeve Ekonomike i Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi, në një konferencë për shtyp ditë më parë zbuloi shifra alarmante të largimit të qytetarëve nga Maqedonia e Veriut.

“Nga viti 2011 deri në vitin 2019 nga vendi ynë janë larguar 700.000 qytetarë (33 për qind e popullsisë së përgjithshme), ose çdo i katërti ka ikur nga shteti. Edhe pse ky trend është ulur në periudhën e Kovidit e këtej, për fat të keq paraqet problem serioz jo vetëm për bartësit e funksioneve publike dhe krijuesit e politikave, por edhe për gjithë shoqërinë”, ka thënë Bytyqi. Bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullatës në Maqedoninë e Veriut jetojnë 1.836.713 qytetarë.

Në Kosovë brenda 10 viteve e kanë braktisur vendin 529.647 qytetarë ose 30 për qind e popullsisë së përgjithshme. Popullsia në Kosovë për vitin 2021 vlerësohet të jetë 1,773. 971 banorë rezidentë.

BeH dhe Serbia me përqindje të ngjashme

Rreth 170.000 njerëz u larguan nga Bosnjë e Hercegovina (BeH) në vitin 2021 dhe pothuajse gjysmë milioni qytetarë ose 15 për qind e popullsisë së përgjithshme u larguan nga BeH që nga viti 2013. Këto janë rezultatet e hulumtimit nga Unioni për Kthim dhe Integrim të Qëndrueshëm të BeH. Popullsia aktuale në BeH është 3.235.169 banorë.

Nga ana tjetër, të dhënat e fundit të Bankës Botërore tregojnë se 967.120 persona ose 14 për qind e popullsisë ka emigruar nga Serbia në 20 vitet e fundit dhe se 30.000 deri në 60.000 njerëz largohen nga Serbia çdo vit. Numri i vlerësuar i banorëve në Republikën e Serbisë në vitin 2021 është 6.834.326 banorë.

Pjesa më e madhe e popullsisë që e braktisin vendin për një jetë më të mirë janë vendbanimet rurale në Serbinë jugore dhe lindore me 19 për qind për 9 vite. /trt