Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Mijëra izraelitë protestojnë kundër qeverisë Netanyahu mes hetimeve për “Qatargate”

Mijëra izraelitë protestojnë kundër qeverisë Netanyahu mes hetimeve për “Qatargate”

Mijëra qytetarë izraelitë dolën në protesta kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu, ndërsa po thellohet hetimi i njohur si “Qatargate”, që lidhet me dyshime për lidhje financiare me Katarin.

Protesta masive u mbajtën në qytetin e Haifës, nën masa gjithnjë e më të rrepta sigurie, ndërsa tubime u zhvilluan edhe në Tel Aviv. Në kryeqendrën ekonomike të Izraelit, fjalimet u përqendruan kryesisht te skandali Qatargate dhe implikimet e tij për sigurinë kombëtare.

“Kur njerëzit më të afërt me Netanyahun marrin para nga Katari – ashtu siç ka bërë Hamasi – për të manipuluar qytetarët izraelitë, kjo është tradhti ndaj sigurisë kombëtare,” u tha në një nga fjalimet kryesore gjatë protestës në Tel Aviv.

Protestuesit akuzojnë qeverinë për korrupsion, mungesë transparence dhe minimin e institucioneve demokratike, ndërsa kërkojnë dorëheqjen e Netanyahut dhe zgjedhje të parakohshme. Autoritetet izraelite nuk kanë dhënë ende detaje të plota mbi ecurinë e hetimit, por çështja ka nxitur tensione të reja politike dhe shoqërore në vend. /mesazhi