Në vitin 2018, të paktën 27 milionë njerëz në Afrikën Lindore si pasojë e ndikimit të konflikteve, krizave ekonomike dhe ndryshimeve klimatike, janë përballë me krizën e ushqimit, bëri të ditur raporti i Autoritetit Ndërqeveritar për Zhvillim (IGAD), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit të IGAD, e përbërë nga 8 shtete të Afrikës Lindore, në vitin 2018 në 7 shtete të rajonit 27 milionë njerëz janë përballur me probleme të rënda të ushqimit dhe se ky numër në botë përbën 24 për qind të personave që përjetojnë pasiguri të ushqimit.
Më tej thuhet se pritet të vazhdojë kriza aktuale në vendet që më së shumti ballafaqohen me problemet e ushqimit, si Etiopia, Sudani dhe Sudani i Jugut. Ndërsa është potencuar se në vitin 2018 në Etiopi 8,1 milionë, në Sudan 6,2 milionë dhe në Sudanin e Jugut 6,1 milionë njerëz kanë pasur nevojë për ndihmë emergjente në ushqim.
Sipas raportit, faktorët kryesorë që kanë shkaktuar krizën e ushqimit janë ndryshimet klimatike, konfliktet dhe problemet ekonomike, duke bërë të ditur se një rezultat i ngjashëm mund të ndodhë në vitin 2019 për shkak të reshjeve nën mesataren.
Raporti kërkon nga vendet anëtare që të sigurojnë mjedis të paqes dhe të investojë në drejtim të eliminimit të efekteve negative të ndryshimeve klimatike, duke u rikujtuar se me përdorimin e efektshëm të informacionit dhe teknologjisë krizat mund të pakësohen.
IGAD, që ka luajtur rol të rëndësishëm në vitet e fundit për të siguruar integrimin rajonal, përbëhet nga Sudani i Jugut, Xhibuti, Uganda, Eritrea, Etiopia, Kenia, Somalia dhe Sudani.





