Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve islame dënojnë ashpër shkeljet izraelite në...

Ministrat e Jashtëm të tetë vendeve islame dënojnë ashpër shkeljet izraelite në Gaza

Ishaq Dar

Ministrat e Jashtëm të Katarit, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Indonezisë, Pakistanit, Turqisë, Arabisë Saudite dhe Egjiptit kanë dënuar “ashpër” shkeljet izraelite të marrëveshjes së armëpushimit në Rripin e Gazës, të cilat kanë çuar në vrasjen dhe plagosjen e “më shumë se një mijë” palestinezëve.

Në një deklaratë të publikuar nga ministri i Jashtëm i Pakistanit, Ishaq Dar, ministrat theksuan se këto shkelje rrezikojnë “përshkallëzimin e tensioneve dhe minimin e përpjekjeve për konsolidimin e qetësisë dhe rikthimin e stabilitetit”.

Sipas deklaratës, shkeljet e përsëritura përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për procesin politik dhe pengojnë përpjekjet në vazhdim për krijimin e kushteve të përshtatshme për kalimin në një fazë më të qëndrueshme në Rripin e Gazës, si në aspektin e sigurisë ashtu edhe në atë humanitar.

Ministrat u bënë thirrje gjithashtu Izraelit dhe Hamasit që të përmbushin përgjegjësitë e tyre dhe të tregojnë “përmbajtjen maksimale”.

Në përfundim, ata theksuan domosdoshmërinë e avancimit drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, të bazuar në të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje dhe shtetësi, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe iniciativën arabe të paqes. /mesazhi