Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan ka zhvilluar biseda intensive diplomatike gjatë tre ditëve të fundit përmes telefonatave mes sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit dhe masave hakmarrëse të Teheranit, transmeton Anadolu.
Pas sulmeve të përbashkëta SHBA-Izrael ndaj Iranit më 28 shkurt, Fidan foli me ministrat e jashtëm të Iranit, Irakut, Arabisë Saudite, Katarit, Sirisë, Egjiptit dhe Indonezisë për të diskutuar mbi zhvillimet dhe hapat e mundshëm për të ndaluar sulmet.
Në të njëjtën ditë, ai zhvilloi biseda të ndara telefonike me homologët e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Spanjës dhe Hungarisë për të adresuar sulmet rajonale.
Në një telefonatë me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, Fidan foli mbi përshkallëzimin në rajon. Të dy diskutuan për iniciativat e vazhdueshme diplomatike që synojnë ndalimin e konfliktit.
Të dielën, Fidan shkëmbeu pikëpamje me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi mbi situatën e fundit në Iran. Ai foli me ministrin e Jashtëm të Omanit, Badr Albusaidi në kuadër të përpjekjeve për të zgjidhur krizën rajonale.
Të hënën, ministri zhvilloi një telefonatë me ministrin e Jashtëm të Azerbajxhanit, Jeyhun Bayramov për të diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në rajon. Ai foli gjithashtu me ministren e Jashtme bullgare Nadezhda Neynsky, duke shqyrtuar ndikimet e ndërsjella të konflikteve rajonale.
Më vonë, në një bisedë me ministrin e Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, Fidan diskutoi në detaje zhvillimet në rajon. Bisedat përfshinë shkëmbime mbi hapa konkretë për të ulur tensionet dhe për t’u dhënë fund sulmeve.
Fidan zhvilloi gjithashtu një telefonatë me homologun e tij jordanez, Ayman Safadi. Diskutimi mbuloi aspektet politike, të sigurisë dhe humanitare të zhvillimeve të fundit në rajon, me fokus në ndërprerjen e sulmeve, uljen e tensioneve dhe forcimin e përpjekjeve diplomatike me aktorët përkatës.




