Irani sot riafirmoi angazhimin e tij për paqen dhe diplomacinë rajonale ndërsa vlerësoi pozicionin e Turqisë mes sfidave të vazhdueshme të sigurisë dhe sulmeve izraelite në Gaza, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan në Stamboll, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi tha se Teherani i kushton rëndësi të madhe partneritetit me Ankaranë, veçanërisht nën dritën e zhvillimeve të fundit rajonale.
“Turqia dhe Irani gjithmonë kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit si në kohë të vështira ashtu edhe në kohë të lehta”, tha Araghchi. Ai shtoi se marrëdhëniet dypalëshe bazohen në “vëllazëri dhe miqësi”.
Araghchi falënderoi presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, qeverinë turke dhe ministrin Fidan për mesazhet e tyre të solidaritetit pas asaj që ai e përshkroi si “sulme terroriste” të fundit në Iran, duke thënë se incidentet ishin “qartësisht të drejtuara nga elementë të lidhur me Izraelin”.
Lidhur me luftën në Gaza, ai tha se Irani vlerëson përpjekjet e Turqisë për të ofruar ndihmë humanitare dhe për të promovuar paqen. “Ne falënderojmë presidentin Erdogan dhe Hakan Fidanin për rolin e tyre aktiv dhe mbështetjen për Palestinën”, tha ai.
Duke iu referuar çështjeve më të gjera rajonale, Araghchi paralajmëroi kundër ndërhyrjes së huaj. “Ndërhyrja e paligjshme e aktorëve të jashtëm, veçanërisht komplotet e regjimit izraelit, synojnë të destabilizojnë rajonin”, tha ai duke shtuar se “vendet islamike duhet të veprojnë në unitet”.
Ai nënvizoi se siguria rajonale është e pandashme, duke thënë: “Ne kundërshtojmë çdo veprim që mund të destabilizojë paqen dhe sigurinë”. Duke komentuar mbi programin bërthamor të Iranit, Araghchi përsëriti se ai mbetet paqësor.
“Ne kurrë nuk kemi kërkuar armë bërthamore”, tha kryediplomati iranian duke shtuar se Teherani mbetet i hapur për procese të drejta diplomatike. Lidhur me Sirinë, Irakun dhe Libanin, Araghchi tha se Irani mbështet sovranitetin dhe qeverisjen gjithëpërfshirëse dhe bëri thirrje për t’i dhënë fund pushtimit në Siri.
Lidhur me Libanin, ai theksoi rëndësinë e dialogut kombëtar midis të gjitha palëve. Araghchi shtoi se të dy palët diskutuan gjithashtu për mënyrat për të rritur bashkëpunimin ekonomik dhe për të hequr pengesat ekzistuese për tregtinë.





