Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut: Të bashkuar në NATO, mund...

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut: Të bashkuar në NATO, mund t’i bëjmë ballë çdo sfide

Vllado Misajllovski

Ministri i Mbrojtjes i Maqedonisë së Veriut, Vllado Misajllovski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në takimin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në selinë NATO-s në Bruksel, ku morën pjesë ministrat e mbrojtjes të vendeve aleate, transmeton Anadolu.

Në fjalimin e tij, ministri Misajllovski u ndal te qëllimet, prioritetet dhe aktivitetet e ndërmarra nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes dhe ushtria në përputhje me marrëveshjet e arritura në samitin e fundit të NATO-s në Hagë, si dhe te uniteti i Aleancës, i cili sot është më i nevojshëm se kurrë për forcimin e konceptit të mbrojtjes dhe parandalimit, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Mbrojtjes.

“Edhe në kohë ndryshimesh globale gjeopolitike, nëse vazhdojmë të fokusohemi në atë që na shtyu me kaq energji të synojmë anëtarësimin në NATO për dekada – nevojën për paqe, siguri dhe stabilitet si parakusht për prosperitet – si Aleancë mund të përballojmë çdo sfidë që na del përpara”, tha Misajllovski, duke shtuar se shteti vazhdon ta rrisë buxhetin e mbrojtjes dhe kështu mbetet maksimalisht i përkushtuar ndaj modernizimit të Armatës së Maqedonisë së Veriut.

“Për modernizim këtë vit janë ndarë mbi 32,5 për qind e buxhetit të mbrojtjes, që është shumë mbi atë që parashikohet sipas objektivave të NATO-s, përkatësisht ndarja e 20 për qind të buxhetit të mbrojtjes për modernizim”, tha Misajllovski.

Ai theksoi se kontratat tashmë të nënshkruara me disa shtete aleate po përmbyllen me sukses, por ka edhe marrëveshje në vijim, të cilat, sipas tij, kontribuojnë në modernizimin dhe pajisjen e ushtrisë, forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe rrjedhimisht të mbrojtjes kolektive.

Misajllovski nënvizoi se paralelisht po investohet edhe në kapacitetet njerëzore, dhe dëshmi për këtë është fakti se pjesëtarët e Grupit të Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë janë të përgatitur shumë mirë për vlerësimin e NATO-s që pritet në prill të këtij viti.

Ai shtoi se do të vazhdojnë të marrin pjesë aktive në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga NATO dhe BE-ja, si në kuadër të krahut lindor të Aleancës, ashtu edhe në kuadër të KFOR-it dhe ALTHEA-s, me një qëllim të vetëm – paqe, stabilitet, siguri dhe prosperitet për shtetet dhe qytetarët.

Gjatë takimit, ministri Misajllovski dha mbështetje të fuqishme për përpjekjet paqësore të SHBA-së për vendosjen e paqes në Ukrainë dhe në kontinentin evropian.

Pas përfundimit të takimit, Misajllovski u nis për në Mynih, ku do të jetë pjesë e delegacionit të Maqedonisë së Veriut të udhëhequr nga kryeministri Hristijan Mickoski në konferencën e ardhshme të sigurisë, e cila do të mbahet nga 13 deri më 15 shkurt 2026.