Ministri i Mbrojtjes, Reznikov: Ukraina në “modelin e mbrojtjes totale”

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksii Reznikov u bën thirrje të gjithëve që janë të gatshëm dhe të aftë për të mbajtur armë që të kontaktojnë Forcat e Mbrojtjes Territoriale

Pas ndërhyrjes ushtarake ruse, ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov njoftoi sot se vendi i tij ka kaluar në “modelin e mbrojtjes totale”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në Facebook, ministri Reznikov u bëri thirrje të gjithëve që janë të gatshëm dhe në gjendje të mbajnë armë të kontaktojnë Forcat e Mbrojtjes Territoriale të Ukrainës në rajonin e tyre për të marrë armë.

“Për të marrë armë, njerëzit duhet vetëm të kenë pasaportën me vete”, tha Reznikov.

Oficerët rezervistë të Ukrainës nën strukturën e mbrojtjes territoriale kanë mbajtur stërvitje disa javore ushtarake për civilët në përgatitje për çfarëdo situate të mundshme mes tensioneve me Rusinë.

Civilët në disa qytete të Ukrainës u trajnuan për përdorimin e armëve, ndihmën e parë dhe si të reagojnë në situata emergjente.

Sipas sistemit të mbrojtjes territoriale të Ukrainës, në të gjithë vendin zbatohen masa të veçanta në kohë paqeje për të përgatitur vendin për çfarëdo kërcënim të mundshëm ushtarak.

Sipas Aktit të Rezistencës Kombëtare që hyri në fuqi më 1 janar, Forcat e Mbrojtjes Territoriale numëronin 10 mijë pjesëtarë të forcave të rregullta në kohë paqeje, me një shtesë prej 120 mijë rezervistësh civilë që mund të rekrutohen dhe trajnohen.

Në rast të mobilizimit të ushtrisë, ushtria vullnetare do të përbëhet nga më shumë se 130 mijë njerëz, përfshirë edhe rezervistët.

Presidenti rus Vladimir Putin sot herët njoftoi ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë vetëm disa ditë pasi njohu dy enklavat e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës. Njohja tërhoqi dënime ndërkombëtare dhe paralajmërime për sanksione më të ashpra ndaj Moskës. /aa