Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Ministri maqedonas i Administratës Publike në Beograd: Bashkëpunimi me Serbinë po thellohet

Ministri maqedonas i Administratës Publike në Beograd: Bashkëpunimi me Serbinë po thellohet

Ministri i Administratës Publike i Maqedonisë së Veriut, Goran Minçev, i cili qëndron për vizitë në Beograd, ka deklaruar se bashkëpunimi mes Shkupit dhe Beogradit në fushën e administratës publike po hyn në një fazë më konkrete, me aktivitete dhe mekanizma të qartë për zbatim, transmeton Anadolu.

Siç njofton qeveria e Maqedonisë së Veriut, Minçev takimin me ministren e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale të Serbisë, Snezana Paunoviq, e konsideroi si një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional mes dy vendeve, veçanërisht në menaxhimin e burimeve njerëzore, hartimin e politikave dhe zhvillimin e sistemeve të informacionit.

“Takimi i sotëm përfaqëson një hap të rëndësishëm në thellimin e bashkëpunimit institucional ndërmjet dy vendeve”, tha ai, duke shtuar se korniza e vendosur përmes Memorandumit të vitit 2024 tashmë po konkretizohet përmes aktiviteteve të reja.

Sipas tij, në fokus të diskutimeve ishte edhe avancimi i sistemit të trajnimeve përmes shkëmbimit të programeve, krijimit të një rrjeti të përbashkët trajnerësh dhe ndërlidhjes së platformave digjitale për mësim elektronik.

“Arritëm marrëveshje për shkëmbimin e programeve dhe krijimin e një rrjeti të përbashkët trajnerësh”, tha Minçev, duke shtuar se do të pasojnë vizita studimore dhe shkëmbim i nëpunësve për ndarjen praktike të përvojave.

Ai njoftoi gjithashtu se është formuar një grup i përbashkët pune për të ndjekur progresin dhe për të koordinuar aktivitetet.