Ministri nuk i bie pishman që gjuajti me armë, kërkon të mos flitet për të

Ministri i Diasporës, njëherësh zëvendëskryeministër i vendit, Dardan Gashi i cili para se më shumë se një muaji kishte gjuajtur me armë zjarri në një ambient të mbyllur nuk i ka rënë pishman fare për gjuajtën e tij me armë. Madje sipas tij kjo çështje nuk duhet të bëhet temë për dy muaj.

“Të gjithë ne kemi jetë private dhe publike. Ajo ka ndodhë dhe është dalë në publik. Unë jam i gatshëm të ballafaqohem dhe jam ballafaquar. Nuk duhet të bëhet temë për dy muaj një çështje e tillë. Nuk dua ta minimizoj as ta bëjë simpatike një veprim të tillë. Nuk jam larguar nga përgjegjësia dhe nuk largohem”, ka thënë Gashi në RTV Dukagjini.

Zëvendëskryeministri Dardan Gashi, dhe ish kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, kishin gjuajtur me armë zjarri në një aheng të organizuar nga zv. kryeministri Limaj në Banjë të Malishevës.

Ata festonin shpalljen si të pafajshëm nga Gjykata të zëvendëskryeministrit Fatmir Limaj si i dyshuar për korrupsion.

Policia e Kosovës kishte dorëzuar në Prokurori kallëzimin penal ndaj zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Diasporës, Dardan Gashi, dhe të tjerëve, për gjuajtje me armë zjarri në ambient të mbyllur.