Ministria alarmon UNESCO-n dhe BE-në për kontrabandimin e artefakteve të Novobërdës në Serbi

Pas raportimit të KOHËS më 28 mars të vitit të kaluar se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin e pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje. Ishte konfirmuar se artefaktet janë kontrabanduar.

Raportin nëpërmjet të cilit institucionet vendore kanë konstatuar se është bërë bartje ilegale e materialit arkeologjik nga Kalaja e Novobërdës për në Serbi, tani e posedojnë UNESCO-ja dhe Bashkimi Evropian. Të dyja këto institucione, Ministria e Kulturës i ka njoftuar edhe për hapat që do të ndërmarrë. Rastin e kontrabandimit të artefakteve e kishte nxjerrë në pah KOHA, në marsin e vjetshëm
Ministria e Kulturës ka alarmuar institucionet ndërkombëtare për rastin e kontrabandimit të mbetjeve arkeologjike nga Kalaja e Novobërdës. I ka njoftuar edhe për hapat që do të ndërmarrë.

Raportin, nëpërmjet të cilit institucionet kanë konstatuar se është bërë bartje ilegale e materialit arkeologjik për në Serbi, tani e posedojnë UNESCO-ja dhe Bashkimi Evropian. Pos kësaj, është kërkuar edhe bashkëpunim.

Pas raportimit të KOHËS më 28 mars të vitit të kaluar se revista “Journal of Archaeological Science” ka publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval town of Novo Brdo (Central Balkans)” të pesë autorëve nga Serbia, ku shpërfaqeshin rezultate të artefakteve të Novobërdës, të marra gjatë viteve 2015 dhe 2016, MKRS-ja kishte kërkuar nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore që ta trajtojë këtë çështje.

Raporti kishte konfirmuar se materiali arkeologjik është kontrabanduar. Më pas, ky raport ishte plotësuar edhe me të dhëna të tjera, duke bërë që shteti të ketë një bazë për të nisur procedura të tjera.

Më 2015, kompania “KOTO”, e përzgjedhur nga UNESCO, kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse zbatimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Ministria e Kulturës kishte paralajmëruar disa hapa sa u përket këtyre gjetjeve. Por për më shumë se tre muaj nuk ishte përgjigjur se çfarë ka ndërmarrë.

MKRS-ja pas insistimit të KOHËS ka bërë të ditur se i janë adresuar revistës shkencore “Journal of Archaeological Science”, ku janë publikuar disa nga artefaktet e gjetura në lokalitet, “për të kërkuar pezullimin dhe tërheqjen e artikullit, ngase në bazë të analizës së Inspektoratit, zhvendosja e gjetjeve nga vendi – Kalaja e Novobërdës, jashtë Kosovës, është bërë pa lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”. Adresimi, sipas MKRS-së, është bërë nëpërmjet postës elektronike, gjatë muajit gusht të vitit 2022.

“Për të bashkëpunuar në adresimin e këtij projekti më tutje kemi dërguar kërkesë në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë dhe Zyrën e UNESCO-s, ‘Antena Venice Office’, në Sarajevë, duke propozuar angazhimin e një eksperti ndërkombëtar për vlerësimin e hollësishëm rreth ndikimit të ndërhyrjeve restauruese në trashëgimi”, shkruhet në përgjigjet e MKRS-së. Por institucioni nuk e ka lënë me kaq.

“Meqenëse nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje nga Zyra në Sarajevë, kemi dërguar kërkesën te Zyra e Venedikut, duke bashkëlidhur edhe raportin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore”, shkruhet në përgjigje. MKRS-ja çështjen e ka adresuar edhe te Drejtoria Gjenerale e Komisionit Evropian për Kulturë, si mbështetëse të këtij projekti, duke kërkuar një inspektim dhe vlerësim të gjendjes në terren.

Sa i përket angazhimit për Kalanë, pavarësisht përgjigjeve që pret, MKRS-ja është në punë e sipër për të bërë vlerësim të gjendjes.

“MKRS aktualisht është duke finalizuar Termet e Referencës, për ‘Angazhim të konsulencës profesionale për vlerësim strukturor dhe të gjendjes së Kalasë së Novobërdës’, duke përfshirë edhe rilevimin e gjendjes ekzistuese dhe rekomandimin e hapave afatshkurtër për masat e sigurisë, si dhe atyre afatgjatë për rehabilitim dhe rikuperim të gjendjes. Gjatë muajit shkurt pritet shpallja e tenderit dhe rekrutimi/angazhimi i konsulencës profesionale”, shkruhet në përgjigje.

Ishte vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që kishte thënë se shteti do të marrë përsipër konservimin dhe restaurimin e strukturave të Kalasë në atë që njihet si qyteti i epërm.

KOHA ka kërkuar përgjigje për këtë nga redaktori i artikullit, biologu Chris Hunt, profesor në universitetin “John Moores” në Liverpool, por ai nuk është përgjigjur. I njëjti më herët kishte treguar gatishmëri që nëse institucionet kosovare deklarojnë se materiali arkeologjik është dërguar jashtëligjshëm në Beograd, stafi i revistës do të reagojë.

Sipas tij, institucionet kanë bërë të ditur se kanë pranuar shkresat, por ende nuk u janë përgjigjur.

“Kështu që ne duhet të vijmë në përfundim se autoritetet e Kosovës nuk ishin në gjendje të vërtetonin veprimin e keq”, kishte thënë ai në fund të prillit të vitit të kaluar. Ishte ankuar se institucionet e Kosovës janë vonuar që t’i përgjigjen interesimit të tij.

Në fund të atij muaji, një raport prej 16 faqesh i Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore konstatonte se në Kalanë e Novobërdës, pos trafikimit të materialit arkeologjik, ishin bërë edhe punime joprofesionale, gjë që kanë rezultuar me shembje të fasadës së gurtë. Konstatohej se studimet e bëra nga studiuesit serbë tentonin ta paraqisnin lokalitetin veç si qytet mesjetar serb. Aty jepen edhe rekomandime se si duhet të veprojë MKRS-ja. Ndër to i rekomandohej ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes.

“Meqenëse përmbushen elementet e veprave penale, MKRS-ja duhet ta iniciojë procedurën penale në organet e ndjekjes ndaj përgjegjësve të dëmeve të shkaktuara gjatë punimeve dhe gërmimeve arkeologjike”, shkruhet në Raport. Po aty, te pjesa e rekomandimeve shkruhet se “pas evidentimit të hollësishëm të dëmeve, përfshirë edhe të gjetjeve arkeologjike të nxjerra jashtë vendit, përmes UNESCO-s të kërkohet kthimi i tyre në vendin e origjinës”.

Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore në Raport shkruan se institucionet e Serbisë, Instituti Arkeologjik i Serbisë, Muzeu Kombëtar në Beograd, Fakulteti i Teknologjisë në Beograd dhe Universiteti i Novi Sadit kanë bërë analizën e një mostre arkeologjike të periudhës së mesjetës së vonë, lëkurë e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani.

“Kjo mostër arkeologjike nga vendi i origjinës është nxjerrë dhe bartur jashtë vendit në mënyrë ilegale nga lokaliteti arkeologjik shumështresor, pa dijeninë dhe lejen e institucioneve kompetente të Republikës së Kosovës”, shkruhet në Raport.

Pos studimeve të publikuara në Serbi, shteti serb ka financuar edhe të tjera, që synim e kishin audiencën më të gjerë.

Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinski e dy ligjërueset në Universitetin e Novi Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, janë autorë të punimit që është financuar nga Ministria e Arsimit dhe ajo e Kulturës në Serbi.

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar “Trashëgimi kulturore pa kufij” (CHëB Kosova), kishte thënë se MKRS-ja në këtë rast është dashur që të dërgonte nota verbale dhe të kërkonte përgjegjësi. Shoshi në dhjetor të vitit të kaluar ishte prapë i të njëjtit mendim.

“Në rastin konkret mendoj se revista duhet ta tërheqë artikullin. Kanë publikuar materiale të kontrabanduara. Në rastin e dytë, MKRS-ja do të duhej që ta dërgonte një notë proteste dhe t’u thoshte UNESCO-s dhe BE-së se në këtë projekt të tyre ka pasur kontrabandim dhe të kërkohet përgjegjësi”, kishte thënë Shoshi. Sipas tij, në lokalitete arkeologjike që përfshin zona të mëdha shteti duhet të jetë prezent me ekipe menaxhimi multidisiplinar gjatë gjithë kohës. Aty, sipas Shoshit, duhet të ketë vazhdimisht njerëz që do të merreshin me menaxhim, studim e mirëmbajtje.

Pas insistimit të KOHËS, në emër të kompanisë “KOTO”, zyrtari ligjor, Darko Gligorijeviq, kishte thënë se UNESCO-ja ka qenë zbatuese e procedurës së prokurimit dhe se në përputhje me rolin e saj ka marrë të gjitha lejet e nevojshme për punime konservuese dhe restauruese. Kishte treguar se në disa raste shumë gjetje arkeologjike i janë dorëzuar Institutit Arkeologjik të Kosovës.

Sipas Gligorijeviqit, i cili Kosovës i referohet me fusnotë, në dy raste “kompania ka dorëzuar në Institutin Arkeologjik të Kosovës” disa gjetje të luajtshme të gjetura gjatë punimeve arkeologjike në projektin në fjalë”.

Por “KOTO” prapë nuk ka pasur përgjigje në pyetjet direkte se me çfarë leje janë dërguar artefaktet në Beograd dhe po ashtu me çfarë leje bëhet studimi i tyre. Kurse, Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë, që ka udhëhequr krejt procesin e konservimit dhe restaurimit të Kalasë, nuk ka kthyer përgjigje asnjëherë.