Ministrja e Jashtme e Gjermanisë: Deklarata e Lavrovit është propagandë

“Megjithatë, ata kanë sulmuar Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës në të kaluarën. Pra, kjo është thjesht një propagandë e re nga pala ruse”, tha Baerbock

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e përshkroi justifikimin e mundshëm të Rusisë për të fituar më shumë territor në Ukrainë si propagandë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Baerbock komentoi deklaratën e ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergej Lavrov se do të zgjerohen objektivat gjeografike të vendit të tij.

Duke theksuar se Rusia çdo herë përdor argument të ndryshëm, Baerbock tha: “Ata thonë se këtë herë është për shkak të mbështetjes ushtarake (nga Perëndimi në Ukrainë). Megjithatë, ata kanë sulmuar Kievin dhe pjesë të tjera të Ukrainës në të kaluarën. Pra, kjo është thjesht një propagandë e re nga pala ruse”.

Ministrja gjermane tha se do t’i ofrojnë më shumë ndihmë Ukrainës. “Ne po shikojmë lloje të ndryshme të mbështetjes. Ne mbështesim çminimin dhe ndihmën mjekësore të qyteteve të ndryshme. Nëse ka gjëra që mund të bëjmë më shumë, përfshirë grantet e drejtpërdrejta financiare që po diskutojmë tani, atëherë do ta shqyrtojmë edhe këtë”, tha Baerbock. /aa