Ministrja Gërvalla niset për vizitë zyrtare në Japoni

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, nesër nis vizitën zyrtare në Japoni, raporton teve1.info

Sipas komunikatës për medie të Ministrisë, Gërvalla do të zhvillojë takime me Ministren e Punëve të Jashtme të Japonisë, Kamikawa, deputetë japonez, delegacionin e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), delegacionin e Bankës Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JBIC), ambasadorë të shteteve të akredituar në Japoni, etj.

“Gjatë këtyre takimeve Ministrja Gërvalla do të shpalosë progresin e Republikës së Kosovës në demokratizim, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe mundësi të investimeve strategjike në Kosovë. Vizita e Ministres Gërvalla në Japoni është e një rëndësie të veçantë në kuadër të fuqizimit të marrëdhënieve bilaterale me shtetin japonez, si në rrugën e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ashtu edhe në fushën e ekonomisë, arsimit dhe digjitalizimit”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.