Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, me 81 vota “për” dhe 19 “kundër”, miratoi Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për kundërvajtje, raporton Anadolu.
Me këtë vendim hapet zbatimi i sistemit “Qyteti i Sigurt”, për regjistrimin automatik dhe sanksionimin e kundërvajtjeve në komunikacion, duke filluar nga 1 shkurti. Ligji parashikon forcimin e sigurisë në komunikacion përmes vendosjes së një procedure të posaçme për kundërvajtje të konstatuara me ndihmën e mjeteve teknike dhe pajisjeve për regjistrim.
Sipas autoriteteve kompetente, ky sistem pritet të ndikojë në parandalimin e përgjithshëm në fushën e sigurisë në komunikacion. Në fazën e parë, sistemi do të evidentojë kundërvajtje si tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, kalimi në dritë të kuqe, skadimi i vlefshmërisë së lejes së qarkullimit dhe parkimi i parregullt.
Në fazën e ardhshme është planifikuar zgjerimi i spektrit të kundërvajtjeve. Pasi sistemi të vihet plotësisht në funksion, pronarët e automjeteve për të cilat do të konstatohet kundërvajtje do të marrin mesazh SMS dhe e-mail me lidhje për shkarkimin e procesverbalit me urdhër pagesë.
Nga ana tjetër, Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut më 20 janar fillon testimin, kalibrimin dhe verifikimin e pajisjeve për mbikëqyrje të komunikacionit në kuadër të projektit “Qyteti i Sigurt”.
Sipas Ministrisë, aktivitetet do të realizohen deri më 31 janar, çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00. Sistemi në fazën e parë do të funksionojë vetëm në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, si dhe përgjatë korridoreve 8 dhe 10. Në periudhën e ardhshme pritet zgjerimi në të gjithë territorin e shtetit.






