Miratohet në parim buxheti për vitin 2022

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim Ligjin për ndarjet buxhetore 2022.

Prezentë në seancë ishin 88 deputetë ku me 65 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, pas shumë diskutimeve është miratuar në shqyrtim të parë buxheti i vitit të ardhshëm.

Ky Projektligj do të votohet në lexim të dytë me procedurë të përshpejtuar, me kërkesë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët përmes një mocioni kanë kërkuar që të bëhet përshpejtim të procedurës që projektligji të votohet para vitit të ri.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja ka thënë se propozojnë që shqyrtimi i projektligjit të bëhet me procedurë të përshpejtuar, apo shmangie nga afatet procedurale.

“Amandamentet mbi ndarjet buxhetore, mund t’i adresohen Komisionit deri më 3 dhjetor. Komisioni deri më 8 dhjetor 2021, duhet të shqyrton projektligjin dhe tua prezanton komisioneve të përhershme. Komisionet e përhershme deri më 15 dhjetor duhet ta shqyrtojnë Projektligjin dhe raportet me rekomandime t’ia paraqesin komisionit funksional. Komisioni për Buxhet, Punë e Transfere deri më 7 dhjetor duhet të paraqet raportin me rekomandime për shqyrtim të dytë në seancë plenare. Dhe e fundit, shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të bëhet në seancë plenare më 22 dhjetor 2021, në ora 10:00”, sqaroi Muja para deputetëve teksa bëri kërkesën.

Ky propozim megjithëse u kundërshtua nga opozita, me 65 vota për, 21 kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi e miratoi propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka prezantuar Projektbuxhetin për vitin 2022, i cili parashihet të jetë mbi 2.7 miliardë euro.

Murati duke paraqitur këtë Projektligji, tha se sa i përket vitit që po e lëmë pas kanë përcjellë me kujdes treguesit kryesorë ekonomik, saktësisht përgjatë periudhës janar-shtator.

Ekonomia është rimëkëmbur nga pandemia, buxheti 2022 do të jetë 8.7 për qind më i lartë
Ministri Murati para deputetëve të Kuvendit tha se sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Prodhimi i Brendshëm Bruto gjatë gjysmës së parë të vitit ka shënuar një rritje rreth 10 për qind.

“Sa i përket Projektligjit të Buxhetit si shifër e përgjithshme e shpenzimeve buxhetore parashihet të kemi 2 miliardë e 748 milionë euro apo rreth 8.7 për qind më i lartë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti kurse te të hyrat kemi paraparë 2 miliardë e 364 milionë euro apo rreth 15 për qind më shumë se sa buxheti i rishikuar i këtij viti”, tha Murati.

“Deficit po ashtu parashihet që të rikthehet në normalitet duke zvogëluar trendin rritës po ashtu edhe të borxhet publik, për shkak se këtë vit presim që për herë të parë prej pavarësisë të kemi një buxhet të balancuar. Sa i përket strukturës së shpenzimeve kemi rritje pothuajse në të gjitha kategoritë e shpenzimeve, me një rritje më të lartë tek investimet kapitale. Po ashtu kemi buxhetuar edhe mbështetjen për familjen dhe për projekte infrastrukturore”, ka shtuar ai.

Sipas tij, rritja e deritashme konfirmon se ekonomia e Kosovës ka rikuperuar pothuajse plotësisht humbjet e shkaktuara nga pandemia në aktivitetin ekonomik.

“Ekonomia e Kosovës gjatë vitit aktual pritet të rritet në mënyrë dyshifrore, pra me rreth 10 për qind në terma real, ndërsa 12.2 për qind në terma nominal”, tha ai.