Ballina Lajmet Kosovë Miratohet paga e 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit

Miratohet paga e 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit

Qeveria e Kosovës ka miratuar pagën e 13-të për punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit.

Miratimi është bërë sot në mbledhje, ku të gjithë ishin pro, asnjë votë nuk ishte kundër dhe asnjë abstenim.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se paga e 13-të mbështet mirëqenien e familjes së punëtorëve si dhe lehtëson barrën financiare.

“Siç kemi premtuar, po e realizojmë këtë zotim duke dëshmuar se përgjegjësia ndaj punëtorëve përkthehet në veprime konkrete. Pagesa e 13-të, synon të mbështesë mirëqenien e familjeve të tyre dhe të lehtësojë barrën financiare”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekruan Murati, ka bërë të ditur se paga e 13-të i takon punëtorëve zyrtarë publikë që kanë punuar 12 muaj të plotë.

“Kanë qenë disa raste, kur është shikuar se si të zbatohet në mënyrën më të mirë të mundshme, është rasti i të gjithë atyre personave që tashmë kanë 12 muaj të plotë në sektorin publik dhe e marrin pagën e 13-të, e cila  kur të llogaritet është e barabartë me vlerën e koeficientit shumëzuar me njësinë e koeficentëve që ka pozita përkatëse për personin, i cili është në listën e pagave në muajin mars”, deklaroi ai.

Ndërkohë, bëri të ditur se edhe personat që nuk kanë punuar plotësisht 12 muaj, do t’iu paguhet paga e 13-të në mënyrë të pjesshme.

“Kemi hasur edhe në rastet kur ka situata që nuk i kanë përmbushur të gjithë 12 muajt, për me qenë sa më korrekt, jemi dakorduar me Thesarin e Shtetit dhe kemi siguruar fonde të mjaftueshme që për këta persona që s’i kanë të përmbushur 12 muaj të jepet pjesa e pjesshme. Pra, për aq muaj sa kanë qenë të angazhuar për 12 muaj e fundit, proporcionalisht iu takon edhe një pjesë e pagës së 13-të”, tregoi Murati, duke thënë se ngjashëm veprohet edhe me ata që punojnë me orar të shkurtuar.

Ai tha se paga e 13-të iu takon edhe grave lehona që janë apo gjatë 12 muajve kanë qenë në pushim të lehonisë.

“Njëkohësisht jemi përkujdesur edhe për gratë lehona, të cilat janë në pushim të lehonisë apo kanë qenë në pushim të lehonisë përgjatë këtyre 12 muajve – muajt e kaluar në pushimin e lehonisë, të njihen sikurse muajt që të kenë punuar me orar të plotë, kjo në mënyrë që të mos kalojnë te paga e pjesshme, por ta marrin pagën e 13-të të plotë”, tha ministri.

Kjo pagesë është paraparë në buxhetin e miratuar më 20 shkurt dhe të dekretuar nga presidentja Vjosa Osmani.