Misioni i Isait a.s. pas zbritjes në tokë

Prof. ass. dr. Musa Vila

Ebu Hurejre r.a. tregon se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Për Atë, në Duart e të Cilit është shpirti im, pa dyshim që Isai, biri i Merjemes, shumë shpejt do të zbresë mes jush (myslimanëve) dhe do të gjykojë (njerëzimin) me drejtësi (sipas ligjeve të Kuranit, si udhëheqës i drejtë). Ai do të thyejë kryqin, do të vrasë derrin dhe nuk do të ketë më taksë (xhizje). Kapitali do të jetë me aq bollëk, saqë askush nuk do të pranojë të marrë para (po t’i jepen). Dhe një sexhde ndaj Allahut do të vlejë më tepër se e gjithë bota dhe gjithë ç’ka në të”. Ebu Hurejra shtoi se, nëse dëshironi, mund të lexoni nga Kurani: “Dhe askush nuk duhet të mbetet nga popujt e librave të parë, përveçse doemos të besojnë në të (Isain, si i Dërguar i Allahut) para vdekjes së tij (Isait). Dhe Ditën e Kiametit ai (Isai) do të jetë dëshmitar kundër tyre”. (En-Nisa, 159)(1)

Transmetuesi i hadithit

Ky është Ebu Hurejra, emri i tij thuhet se është Abdurrahman bin Sahër Ed-Devsij El-Jemanij. Nofka e tij mori aq famë, saqë mbizotëroi mbi emrin e tij. I Dër guari i Allahut e kishte thirrur Eba Hir dhe Ebu Hure jre. Fenë Islame e pranoi herët, para se të shpërngulej nga atdheu i tij. Migroi në Medinë bashkë me tetë shtëpi të fisit të tij – Ed-Devs. Kur erdhi te Pejgamberi a.s., ky ishte në Hajber. Ebu Hurejra ishte përfitues i presë së luftës së Hajberit. E kishte shoqëruar Pejgamberin a.s. katër vjet rresht, në shtëpi dhe udhëtime. Pejgamberi a.s. e kishte njoftuar për njerëzit e Ehlu Suffes dhe për pozitën e tyre. Ai e donte shumë diturinë. I Dërguari I Allahut a.s. kishte bërë lutje që Allahu t’i jepte memorie të fortë në nxënien e diturisë. Konsiderohet as’habi që ka transmetuar më së shumti hadithe nga Muhamedi a.s. – 5374 hadithe. Buhariu thotë: “Kanë transmetuar prej tij tetëqind e më tepër njerëz të ditur, as’habë dhe tabi’inë”.(2) Shprehja në hadith: “Le jushikenne” –

Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij ka regjistruar 3848 hadithe. Buhariu dhe Muslimi kanë rënë në ujdi në 326 hadithe. Buhariu u dallua në transmetim në 93 hadithe, kurse Muslimi u dallua për 190 hadithe të tij. Ebu Hurejre vdiq në Medinë në moshën 78-vjeçare, në vitin 59 të hixhretit. U varros në Bekije të Medinës.(3)

Shpjegimi i hadithit

Shprehja në hadith: “Pasha Atë, në duart e të Cilit është shpirti im!

Ky është një betim i Profetit a.s. që ka kuptimin “për Allahun”. Si shpirti i Profetit a.s., ashtu edhe i të tjerëve është në duart e Allahut. Në disa versione është cekur edhe vetë emri i Muhamedit a.s.: “Pasha Atë, në duart e të Cilit është shpirti i Muhamedit! Pra, ky lloj betimi është përsëritur shpesh në hadithet e Profetit a.s. Kjo formë betimi tregon për përforcim të madh të betimit. Ky lloj betimi lejohet për këdo, ashtu siç lejohet betimi i qartë në qenien e Allahut, emrat dhe cilësitë e Tij. Ndërsa betimi jo në emër të Allahut, është i ndaluar, si për shembull betimi në melekët, profetët, Qabenë, prindërit, fëmijët etj.. Betimi i Profetit a.s. në fillim të hadithit me përforcim, është një fakt se kjo ndodhi doemos do të ndodhë kur t’i vijë koha. Të shprehurit në hadith në këtë formë tregon se ndoshta dikush ka dyshime në zbritjen e Isait a.s. Ebu Hurejra, transmetuesi i hadithit, apeloi në fund të hadithit për ata që kanë një fije dyshimi, që ta lexojnë, nëse dëshirojnë, ajetin 159 të sures En-Nisa. Me këtë Ebu Hurejra dëshiron të përforcojë edhe një herë atë ndodhi që paralajmëroi Profeti a.s., e cila është e vërtetë dhe në të cilën nuk duhet dyshuar.

Shprehja në hadith: “Le jushikenne” – gjithsesi është shumë afër – “lejkrabenne” dita kur Isai, i biri i Merjemes, do të zbresë. Kjo ka të bëjë me jetëgjatësinë e kohës dhe jo me jetëgjatësinë e individit. Pra, nuk ka fare dyshim se koha kalon shumë shpejt dhe çdo e ardhme është edhe e afërt, kurse çdo e shkuar është edhe e largët. Dhe zbritja e Isait do të ndodhë, madje shumë shpejt, sepse koha e zbritjes së Isait gjithnjë është duke u afruar dhe jo duke u larguar*.

Zbritja e Isait a.s. dhe drejtësia e tij

Shprehja në hadith: “En jenzile fikum” – do të zbresë mes jush, ka kuptimin se do të zbresë në këtë Ymet, në mesin e myslimanëve. Ky është një mesazh për një pjesë të Ymetit, për ata që do të jenë të pranishëm në fund të kohës së zbritjes së Isait a.s. Ai do të zbresë në kohën e Dexhallit, dhe do ta vrasë atë, pastaj do të sundojë sipas ligjeve të Sheriatit. Do të qëndrojë në Tokë për një kohë të caktuar nga ana e Allahut xh.sh., dhe pastaj do të vdesë. Myslimanët do t’ia falin xhenazen dhe do ta varrosin. Çdo mysliman është i obliguar të besojë zbritjen e tij dhe atë që na flet Kurani, se atë nuk e kanë vrarë hebrenjtë dhe as e kanë gozhduar, por Allahu xh.sh. e ka ngritur tek Ai dhe ai nuk do të vdesë para se të zbresë në Tokë, në prag të Ditës së Kiametit. Zbritja e tij do t’i heqë të gjitha dilemat dhe dyshimet e Ehli kitabëve lidhur me fenë e vërtetë Islame.

Shprehja në hadith: “Adlen” – do të gjykojë (në Tokë) me drejtësi.

Në një version tjetër thuhet: “hakemen mukësitan” – gjykatës i drejtë.(4) Në versionin tjetër “imamen mukësitan” – udhëheqës i drejtë. D.m.th. Isai a.s. do të zbresë si gjykatës i drejtë, udhëheqës i drejtë, sundues me Sheriatin tonë, e nuk do të zbresë si profet me legjislacion të ri. Ai do të jetë vetëm një prej udhëheqësve të këtij Ymeti. Sipas transmetimit të Et-Taberaniut: “Isai, biri i Merjemes do të zbresë konfirmues i Muhamedit ndaj Ymetit të tij”. Se si do të manifestohet kjo drejtësi, më së miri e tregon edhe ky hadith, i cili tregon se nga drejtësia e tij do të përfitojnë edhe kafshët. Profeti a.s. thotë: “… Në kohën e tij (Isait), Zoti do t’i zhdukë nga toka të gjitha fetë përveç Islamit. Mbi tokë do të vijë siguria dhe devetë do të kullosin bashkë me luanët, fëmijët do të luajnë me gjarpërinjtë..”. Zbritja e tij do të jetë pretekst mëshire për botën njerëzore, shtazore dhe bimore. Drejtësia e vërtetë kishte munguar për një kohë të gjatë, kështu që, me zbritjen e tij, drejtësia do të vendoset në krye të çdo çështjeje.

Shprehja në hadith: “fejukessira es-salibe” – do të thyejë kryqin.

Thuhet se kjo thyerje e kryqit është thyerje e drejtpërdrejtë dhe e vërtetë. Gjithashtu me këtë nënkuptohet se Isai a.s., më në fund, do ta mposhtë teorinë mbi kryqin si shpëtimtar, dhe do të përgënjeshtrojë madhërimin e tij nga ana e të krishterëve. Kështu do të rrëzohet i tërë krishterimi dhe teoria e tij. Këtë veprim të tij e kërkon vetë drejtësia. Ajo thotë se kemi një Zot, një fe, një Tokë. Ky veprim i Isait është në përputhje me konotacionin e kontekstit profetik, se e kemi detyrim që gjërat e këqija t’i ndryshojmë në bazë të mundësive që posedojmë: “Kush prej jush e sheh me sy të keqen, le ta ndryshojë atë me dorën (forcën) e tij, e, nëse nuk ka mundësi, atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk ka mundësi, atëherë me zemrën e tij, e ky është besimi më i dobët”.(5) Ibn Haxheri thotë: “Lejohet thyerja e kryqeve nëse jemi në luftë me të krishterët si dhe lejohet thyerja e kryqeve të minoriteteve, nëse ata i shkelin marrëvesh jet që kemi nënshkruar. E nëse ata nuk e bëjnë këtë marrëveshje, atëherë thyerja e kryqit nga myslimani konsiderohet vepër armiqësore, sepse për këtë (për lirinë e kultivimit të besimit) ata paguajnë taksat”.(6)

Shprehja në hadith: “ve jekëtulel hinzire” – do ta vrasë derrin.

Vrasja e derrave do të jetë e drejtpërdrejtë dhe e vërtetë. Prej kësaj shprehjeje del se kultivimi i derrave është i ndaluar, mishi i tyre është i ndaluar, dhe derri është krijesë e papastër. Sikur të kishim pak dobi prej tyre, atëherë me siguri nuk do të lejohej asgjësimi i tyre. Por derri në çdo aspekt mbetet i padobishëm për jetën tonë. Neveviu thotë: “Mendimi më i zgjedhur i drejtimit tonë (Esh-shafij), dhe i shumicës së dijetarëve (El-xhumhur) është se, nëse hasim derra në vendet e krishtera dhe jo të krishtera, dhe na jepet mundësia, i vrasim ata”. Me këtë Isai a.s. do t’i tregojë botës së krishterë se mishi dhe kultivimi i derrit asnjëherë nuk ka qenë i lejuar, por ka qenë një keqkuptim nga një pjesë e njerëzve, të cilët kanë inkurajuar kultivimin, rritjen dhe ngrënien e derrit. Sot ka ardhur koha ta kuptoni ndalesën e tij.

Shprehja në hadith: “ve jeda’al harbe” – dhe do ta heqë taksën.

Në shumicën e versioneve ka ardhur nocioni el-xhizje, që nënkupton taksën e detyruar për jomyslimanët në një shtet islam, të cilët duan të mbajnë fenë e tyre e të mos përqafojnë Islamin. Isai a.s. do të anulojë taksën për pasuesit e librave qiellorë, që nuk do të merret më prej tyre. Njerëzit duhet ta përqafojnë Islamin dhe nuk ka zgjidhje tjetër. Kjo nuk nënkupton se Isai do të anulojë një vendim të fesë (Sheriatit), por ky hadith tregon se marrja e taksës nga pasuesit e librave (Ehlil kitab) është caktuar deri në zbritjen e Isait a.s., pas tij nuk do të vazhdojë. Anulimin e taksës e ka sqaruar Muhamedi a.s., dhe Isai a.s. mbetet vetëm ekzekutues i atij sqarimi.

Pra:-

do të jetë vetëm një fe, kështu që nuk do të mbetet asnjë prej Ehli kitabëve ose minoriteteve joislame, që të paguajnë taksë (el-xhizje);

– pasuria do të shumohet jashtëzakonisht, kështu që nuk mbetet vend ku të shpenzohet xhizja. Njerëzit nuk do të kenë nevojë për të;

– Isai a.s. nuk do të pranojë nga jomyslimanët asgjë pos Islamit, ose do t’u shpallë luftë. Këtë e konfirmon hadithi që transmeton Ahmedi në “Musnedin” e tij: “Do të ketë vetëm një ftesë (për Islam)”.

Shprehja në hadith: “ve jefidul male hatta la jekëbeluhu ehaden” – atëherë kapitali do të shumohet me aq bollëk, saqë askush nuk do të pranojë të marrë para (po t’i jepen).

Në atë kohë, në prag të fundit të botës, kapitali do të shumohet në përmasa të mëdha, nga qielli zbresin vetëm të mira (shira të mëshirshëm), mirësitë shumohen, toka nga brendia e saj nxjerr thesarin e bollshëm, kurse njerëzit do të lakmojnë shumë pak pasurinë, për shkak se do të kuptojnë që Dita e Kiametit është shumë afër dhe pasuria shkakton vetëm telashe. Në ato momente njerëzit dëshirojnë të bëjnë vetëm vepra të mira e të pranueshme tek Allahu xh.sh.. Profeti a.s. thotë: “Do t’i braktisin devetë, nuk do t’i rrisin ato (nga asketizmi). Nuk do të ketë koprraci, armiqësi dhe xhelozi. Do të thirren për pasuri e askush nuk do të pranojë ta marrë”.”Pastaj tokës i thuhet: Rrite frytin tënd, nxirre bereqetin që ke. Atëherë do të hahet një pjesë e shegës e lëvoret e saj do t’u mjaftojnë shumë njerëzve për hije. Do të ketë bereqet qumështi, saqë një e mjelë e devesë do t’i mjaftojë një shumice njerëzish. Një e mjelë e lopës do t’i mjaftojë një fisi të tërë. Një e mjelë e deles do t’i mjaftojë një grupi njerëzish”.

Pasuria, kapitali dhe bereqetet e shumta do të jenë si rezultat i vënies në jetë të drejtësisë nga Isai a.s. për të gjykuar në mes njerëzve.

Vlera e fesë dhe besimi i Ehli kitabëve

Shprehja në hadith: “hatta tekunes-sexhdetul- vahi detu hajran mined dunja ve ma fiha” – dhe një sexhde ndaj Allahut do të vlejë më tepër se e gjithë bota dhe gjithë ç’ka në të.

Me këtë tregohet se njerëzit nuk do të lakmojnë pasurinë dhe të mirat e kësaj bote, për shkak se do të kuptojnë që Dita e Kiametit është shumë afër, prandaj do të dëshirojnë të bëjnë sa më shumë vepra të mira dhe t’i japin fesë përparësi ndaj kësaj bote dhe gjërave të saj.

Fjala “es-sexhdetu” nënkupton përkulje të thellë, rënie me fytyrë përtokë gjatë faljes. Ose me këtë fjalë aludohet për namazin apo rekatin që fal besimtari.

Thuhet se me pjesën e këtij hadithi aludohet për atë se njerëzit dëshirojnë të afrohen tek Allahu vetëm me adhurime shpirtërore (namaz) e jo me bamirësi nga pasuria, pasi një sexhde për atë që fal namazin, është më e vlefshme se dhënia e gjithë botës për sadaka. Gjithashtu në atë kohë pasuria do të jetë me bollëk, njerëzit nuk do të kenë nevojë për të, dhe koprracia do të zhduket. E vetmja formë e gradimit me shpërblime mbetet Namazi dhe vepra të ngjashme me të.

Shprehja në hadith: “Ebu Hurejra shtoi se, nëse dëshironi, mund të lexoni (nga Kurani): “Dhe askush nuk duhet të mbetet nga popujt e librave të parë, përveçse doemos të besojnë atë (Isain si të dërguar nga Allahu) para vdekjes së tij”.

Nga ana e jashtme, kjo pjesë e hadithit shikohet sikur është e shkëputur – mual-lekun, por e vërteta është se senedi i tij është i lidhur me të njëjtin sened të përmendur.

Komentatorët e Kuranit kanë mospajtime në kome ntimin e ajetit për shkak të përemrit vetor “të tij”, te fjala “kable meutihi” – para vdekjes së tij.

Ibn Kethiri thotë:

Disa thonë se përemri vetor ka për qëllim Isain a.s., kështu që kuptimi i ajeti është: “Asnjë nga pasuesit e librave (çifutë dhe të krishterë) në kohën e zbritjes së Isait nuk do të mbetet pa i besuar atij, dhe do ta dinë se Isai është rob i Allahut dhe djalë i nënës së tij”. Bazuar në këtë, edhe përemri vetor i vetës së tretë, në fjalën “bihi” – në të, ka për qëllim Isain a.s.. Të këtij mendimi janë Ibn Abasi, El-Hasan El-Basrij, Katade dhe Et-Tabe riu, këtij mendimi i kanë dhënë përparësi ndaj mendi meve të tjera. Ibn Kethiri thotë: “Nuk ka dyshim se mendimi i Taberiut është i saktë, ngase vetë forma e ajetit mposht teorinë e çifutëve se Isai a.s. është vrarë si dhe teorinë e të krishterëve për kryqëzimin e tij. Allahu xh.sh. na ka informuar se çështja nuk qëndron ashtu, por krejt ç’mund të thuhet, është se ato janë përngjasime dhe dyshime. Ata kanë vrarë dikë që i ngjante, kurse Isai është ngritur, është i gjallë dhe do të zbresë para Ditës së Kiametit, ashtu siç tregojnë edhe hadithet kolektive.(7)

Disa komentatorë të tjerë thonë: “Përemri vetor ka për qëllim çdo pasues të librave (çifut ose të krishterë), kështu që kuptimi i ajetit është se çdo çifut apo i krishterë në kohën që i vjen meleku i vdekjes t’ia marrë shpirtin, do të besojë dhe do të bindet se Isai qe vetëm i Dërguar i Allahut, rob i Tij dhe djalë i nënës së vet. Ai nuk kishte aspak pjesë në shenjtëri, në të qenët Zot. Për këtë kanë si mbështetje mënyrën e leximit të Ubeje bin Ka’bit: “Il-la lejuëminenne bihi kable meutihi” – “përveçse doemos të besojnë në të (Isain a.s.) para vdekjes së tyre (ehli kitabët)”.

Po të vijë kjo kohë, për këdo prej tyre nuk do të vlejë më ky besim pas ardhjes së melekut të vdekjes, ngase në këtë gjendje, duke dhënë shpirt, nuk vlen asgjë, as Islami e as mohimi i tij, as trashëgimia, as shitblerja e asnjë fjalë tjetër, duke u mbështetur në ajetin: “Pa asnjë përfitim është pendimi i atyre që vazhdojnë të bëjnë ve pra të këqija, derisa t’u vijë përballë vdekja, dhe pastaj thonë: “Tani pendohem”. (En-Nisa, 18)

Të këtij mendimi janë Muxhahidi, Ikrime, Ibn Sirini, Dahaku etj.

Në Kuran ka shenja të qarta që tregojnë se zbritja e Isait a.s. do të jetë prej shenjave të mëdha të Kiametit.

Këtë e dëshmon fjala e Allahut të Lartësuar:”Ai (Isai) do t’u flasë njerëzve që në djep e në burrëri, dhe do të jetë prej të drejtëve”. (Ali Imran, 46). Isai u ka folur njerëzve që në djep, duke pastruar të ëmën nga shpifjet. Fjalën e tij e përshkruan edhe Kurani famëlartë: “Inni abdullahi” – “Vërtet unë jam rob i Allahut”.

Ndërsa në fazën e burrërisë ende nuk u ka folur njerëzve për mposhtjen e teorive krishtere dhe çifute. Ai nuk ka folur për këto teori, ngase është ngritur lart në qiell para se të arrinte moshën e burrërisë. Fjala “kehlen” – i moshuar, sipas Kurtubiut(8) kap moshën që futet në të dyzetat. Sipas Ahfeshtit: Burrëria është në vitet tridhjetë e tre e më tej, adoleshenca është deri në gjashtëmbëdhjetë vjeç, rinia është deri në tridhjetë e dy vjeç.

Isai a.s. do të zbresë në moshën tridhjetetrevjeçare, në moshën e burrërisë. Ai do t’u flasë siç u kishte folur në djep: “Vërtet unë jam rob i Allahut”. Në këtë kontekst Allahu thotë: “Dhe vërtet ai (Isai, biri i Merjemes) është shenjë njohëse për ardhjen e Ditës së Kiametit. Pra, mos dyshoni kurrsesi në të (Ditën e Kiametit) dhe më ndiqni mua, se kjo është rruga e drejtë”. (Ez-Zuhruf, 61)

Nga ky ajet nënkuptohet zbritja e Isait a.s. nga qielli dhe vërtet ai është shenjë e vërtetë që tregon se Kiameti është në prag të ardhjes. Disa as’habë fillimin e këtij aje ti e kanë lexuar kështu: “Ve innehu le’alemun lis-sa’ati”

– “Vërtet ai është shenjë për Kiametin”. Fjalën “le’ale mun” e kanë shpjeguar “imaretun” – shenjë e qartë. Shevkaniu, në një libër të quajtur “Ettevdihu fi tevaturi ma xhae fil-ehadithi fil-Mehdi ved-dexhxhali, vel mesihi”, numëron më se njëzet e nëntë hadithe për zbritjen e Isait, të cilat i konsideron edhe hadithe kole ktive (mutevatir).

_______________________________

1) “Sahihul Buhari”, Kitabul Enbijai, nr. 3448; “Sahihu Muslim”, v.. II, f.. 189.

2) Ibn Haxher, “Tehdhibu tehdhib”, v. 12, f. 263.

3) Ibn Sead, “Et-Tabekat”, v.3, f. 286. Mr. Musa Vila, “Komentimi i haditheve ..”., f. 120.

4) Et-Tirmidhij, “Es-sunen”, v.4, f. 439, nr. 2233.* Për ne si gjeneratë, dy mijë vitet e kaluar janë vetëm një numër që e numërojmë, i cili nuk ndërhyn në shkurtimin apo zgjatjen e jetës sonë. Kështu do të jetë edhe me gjeneratat që do ta arrijnë zbritjen e Isait, nuk do të jetë fare vonë dhe aspak nuk do të ndikojë në jetën e tyre që t’ua shkurtojë apo t’ua zgjasë. Kështu për jetëgjatësinë e kohës do të jetë e shpejtë zbritja e Isait a.s., ngase kohës i ndërpritet jetëgjatësia e saj dhe përfundon me Ditën e Kiametit.

5) “Sahihu Muslim”, v.2. f. 21.

6) “Fet’hul Bari”, v.6 f. 567.

7) Ibn Kethir, “Tefsirul Kuranil adhim”, v.1, f. 637. 8) El-Kurtubij, “Tefsirul ahkamil Kurani”, v.4. f. 91.