Kur drejtësia dorëzohet përpara mungesës së provave dhe teknologjia mbetet shpresa e fundit…
Në orën 23:21 të mbrëmjes së 28 shkurtit 1986, Suedia ndryshoi përgjithmonë. Kryeministri Olof Palme u ekzekutua me një plumb pistolete Magnum 357 në qendër të Stokholmit, teksa kthehej nga kinemaja me bashkëshorten e tij, pa asnjë shoqërues.
Katër dekada më vonë, kjo ngjarje mbetet ende enigmatike, ku çdo përpjekje për të zbuluar vrasësin ka dështuar në mënyrë spektakolare. Dhe kjo e ka zanafillën te hetimet fillestare të kryera keq.
Për këtë krim të rëndë janë marrë në pyetje rreth 10.000 persona, janë shqyrtuar 134 rrëfime të rreme dhe është përpiluar një dokumentacion që mbulon 250 metra rafte, por rezultati është zero.
Teoritë e konspiracionit kanë akuzuar këdo: nga CIA-n dhe PKK-ja kurde, te shërbimet sekrete gtë Afrikës së Jugut dhe ekstremistët e djathtë. I vetmi i arrestuar, Christer Pettersson, u lirua më pas për mungesë provash.
Në qershor të vitit 2020, Prokurori i Përgjithshëm identifikoi Stig Engström, si autorin e vrasjes dhe e mbylli çështjen me arsyetimin se ai kishte vdekur në vitin 2000. Engström, i cili ishte dëshmitar në vendngjarje, ishte bërë objekt i dokumentarëve dhe serialeve në Netflix.
Megjithatë, as kjo pistë nuk ishte bindëse. Dhjetorin e e vitit të kaluar, zyra e prokurorit e hodhi poshtë atë variant, duke e liruar Engström-in nga faji për shkak të provave të pamjaftueshme.
Kjo vrasje mbetet një plagë e hapur për shoqërinë suedeze. Së fundmi, një protestë e organizuar në Stokholm kërkoi krijimin e një komisioni të së vërtetës me qasje në arkivat sekrete të SAPO-s (inteligjencës suedeze). Gazetari Per Janse thotë se pas shpenzimit të një miliard kronave, Suedia është kthyer sërish në pikën zero.
Shpresa e fundit tani është Inteligjenca Artificiale. Podcast-i Spår ka nisur të përdorë një motor IA për të analizuar 30000 dokumente në më pak se një sekondë, një punë që policisë do t’i merrte dhjetë vjet.
Megjithatë, ekspertët si Gunnar Wall paralajmërojnë se asnjë teknologji nuk mund të gjejë informacionin që nuk ekziston. Boshllëqet në dosje dhe mungesa e provave materiale, vazhdojnë ta mbajnë këtë krim si një nga misteret më të mëdha të historisë moderne. /tesheshi





