Meqenëse përvoja njerëzore ka dëshmuar se njeri të përsosur dhe pa të metë s’ka, atëherë ngrë tezën se edhe shëndet të përsosur dhe njeri pa sëmundje dhe vese nuk ka. Sigurisht flasim për rregullin, sepse historia njeh edhe të dërguarit e Zotit dhe profetët, që pavarësisht se ishin të ruajtur nga sëmundjet dhe veset, nuk ishin imun ndaj gabimeve (njerzillëkut të tyre). Që këtu pra, pikënisja jonë në trajtimin e tezës se mjeku dhe pacienti janë një binom i ndërvarur dhe ndërkëmbyeshëm, përcaktojmë që këtu se qëllimi dhe synimi duhet të jetë përmirësimi dhe ruajtja (ose parandalimi) e shëndetit, ose luftimi i vazhdueshëm i gjendjes së sëmundjes, rënies në vese, humbje të vlerave morale (sëmundjet e zemrës), porse kjo kërkon një qartësi dhe pakt të vazhdueshëm të njeriut me veten, që së pari nuk është i sigurt nga gabimet dhe sëmundjet dhe së dyti e ka për detyrë dhe s’ka rrugë tjetër veçse të merret me to, për t’i zgjidhur dhe kuruar.
Mjeku është së pari pacienti më i vetëdijësuar për shëndetin, ose pacienti që së paku njeh sëmundjen, ndërsa pacienti është domosdo çdo kush i cili në çdo moment potencialisht ose në momente të caktuara i nevojitet ndihma e mjekut për tu përballur dhe ndihmuar tejkalimin e gjendjes së pashëndetshme të tijën.
Së treti, çdo mjek është domosdoshmërisht edhe pacient, por jo çdo pacient mund të jetë edhe mjek. Sepse nëse s’ka pacientë, ska as mjekë, nëse ska as mjekë as pacientë, i bie s’kemi më njerëz por melekë, s’kemi më dynja por xhenet.
Mjeku është pak a shumë ai që merr rolin e liderit dhe përgjegjësisë më të lartë, për të dalë jashtë kopetencave të vetë-qeverisjes, pra mjeku është si ai i burgosuri “çliruar” dhe “ndriçuar” te miti i “Shpellës së Platonit”, që përpiqet dhe i ka vënë vetës detyrë të kurojë ata të sëmurë ose atë pjesë të sëmurë, ose së paku të zgjojë dhe trazojë sistemin imunitar (apo vetëdijen) e atyre që kanë gadishmëri për të pranuar dritën (ilaçin).
Mirpo siç dihet mjeku s’ka kompetenca për të shëruar, madje as veten e tij, pa lejen dhe vullnetin e atij që ka në dorë shëndetin dhe shkaqet natyrore të shërimit, pra mjeku bën vetëm sebepet, apo detyrën që i ka vënë vetes për t’ju shërbyer të sëmurëve në drejtimin që ai njeh më mirë. Aksioma është: Mjeku kuron, Zoti shëron. Kjo vlen në çdo fushë tjetër, por relacioni “mjek-pacient” në ktë trajtesë del përtej fushës së mjekësisë (si shkencë dhe domen dijeje empirike), sepse ilaçi dhe sëmundja janë dy nocione tepër përmbajtësore për t’i kufizuar vetëm në dimensionin fizik trupor.
Siç e dimë, ka pacientë që duan të mbesin të tillë, kanë rënë “rehat” me sëmundjen e tyre dhe refuzojnë ndihmën e mjekut.
Vlen ajo shprehja: “Mos ndihmo askënd wë refuzon ndihmën.” Ky fenomen është jo vetëm ndër-njerëzor, sepse sikurse ka njerëz që refuzojnë njerëzit, shumica e njerëzve në fakt refuzojnë vetë Krijuesin e tyre, duke u larguar nga burimi i vërtetë dhe më i fuqishëm i shërimit, tek “Kryemjeku”, Ai i cili ka krijuar dhe njeh të gjitha ilaçet, bashkë me sëmundjen dhe a shpërndarë në Tokë mjetet dhe dijen për to. Zemra është organi kryesor, shkakësor, përcaktues për të gjitha sëmundjet e tjera psiqike dhe fizike wë burojnë prej saj dhe mjeku më i mirë, duhet patjetër të adresojë simptomat drejt shkaqeve dhe të gjurmojë në rrënjë të problemit, sëmundjet, si e vetmja rrugë që garanton gjetjen e ilaçit dhe përdorimin e mekanizmit të duhur për ta trajtuar, kuruar atë.
Parimi i katërt: Ai që bën punën e mjekut, në fakt duke ndihmuar veten si pacient. Mjeku që i jep përparësi pacientëve të tjerë (para vetes) në fakt është duke shëruar së pari vetveten, sepse duke rezonuar tek të tjerët, kthehet në burim fuqie dhe energjie në vetvete, pra drita dhe e mira kur ndahet shtohet dhe shumëfishihet tek dhuruesi (burimi), në ktë rast kryepacienti (që është vetë doktori). Mjeku është si qiriu (siç e përshkruar poetikisht Naimi) digjet për të tjerë, por lënda e qiriut shkrihet dhe ribëhet, është vetëm filli (ajo pjesë e ligë që ndan helmin nga ilaçi) që shkatërrohet, ndërsa si përfitim për mjekun dhe pacientin është drita (shpresë dhe lumturi).
Së fundmi, mjeku dhe pacienti shpesh ndërrojnë rolet edhe pse në pozita të ndryshme, sepse rangu shoqëror dhe human i kategorizon njerëzit, mund të jesh pacient i dikujt dhe mjek i dikujt tjetër, ndërsa të nesërmen mund të ngrihesh ose të biesh në nivel, sipas përpjekjes tënde për të kërkuar përsosmërinë e shëndetit të plotë (fizik, mendor, shpirtëror), e kjo në vetvete paraqet luftën më të shenjtë (xhihadin) për qëllimin më objektiv ( të qenit rob i mirë i Zotit) dhe synimin më të shpërblyeshëm (Takvanë-Ihsanin). Kjo lojë (betejë) nis me bylygun (çastin e vetëdijësimit për shëndenë dhe sjelljet tona) dhe mbaron kur të vijë shpirti në grykë. Hapi i parë është të pranosh dobësinë tënde (sëmundjet) dhe t’i dorëzohesh mjekut, më pas të mundohesh me gjithë shpirt, për t’u pastruar nga helmet dhe mikrobet që tentojnë të të ulin nga gjendja e insanijetit (gabueshmërisë) në atë të më poshtë se kafshës, e cila e ka humbur përfundimisht statusin, e të qenurit madje edhe vetëm pacient (që s’ka derrman).
Autor: Ibrahim Xhepmetaj
Ardhmëriaonline.com








