Moderna njofton se vaksina e saj është e sigurtë për adoleshentët

Moderna njoftoi të martën se vaksina e saj kundër COVID-19 mbron fëmijë që nga mosha 12 vjeç. Ky njoftim hap rrugën për ta bërë Modernën vaksinën e dytë për vaksinimin e adoleshentëve.

Megjithëse vaksinimet kanë filluar prej muajsh, shumë zona në botë ende e kanë të vështirë të sigurojnë sasitë e nevojshme për të imunizuar popullatën. Në fillim të muajit, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja autorizuan vaksinën e kompanive Pfizer e BioNTech për imunizimin e moshave nga 12-18 vjeç.

Moderna synon të bëhet e dyta vaksinë për këto imunizime, duke thënë se do t’ia paraqesë të dhënat që ka mbi reagimin e adoleshentëve Administratës Për Ushqimin dhe Barnat (FDA) si dhe enteve të tjera rregullatore në botë në fillim të muajit të ardhshëm.

Kompania analizoi reagimin e një grupi prej 3700 12- 17 vjeçarësh. Rezultatet paraprake tregojnë se vaksina nxiti të njëjtat shenja të mbrojtjes imunitare në adoleshentë, ashtu si në të rritur, shoqëruar me të njëjtat efekte të përkohëshme anësore si dhimbje krahu, dhimbje koke dhe këputje.

Nuk pati raste me COVID ndër ata që bënë dy doza të vaksinës Moderna, ndërkohë që pati katër raste të infektuarish ndër adoleshentët që morën një injeksion me placebo. Në një konferencë për shtyp, kompania tha se vaksina duket të jetë 93% efektive dy javë pas dozës së parë.

Megjithëse fëmijët kanë gjasa shumë më të ulëta se të rriturit të sëmuren rëndë nga COVID-19, ata përfaqësojnë rreth 14% të rasteve të infeksionit me koronavirus. Të paktën 316 fëmijë kanë vdekur vetëm në SHBA nga COVID-19, sipas statistikave të Akademisë Amerikane të Pediatrisë.

Falë ekzistencës së sasive të mjaftueshme të vaksinave në Shtetet e Bashkuara, të rinjtë shfrytëzuan rastin për t’u imunizuar me vaksinën Pfizer sapo u miratua për adoleshentët nga autoritetet federale.

Si Pfizer ashtu edhe Moderna kanë filluar provat për të analizuar efektin e vaksinave të tyre tek fëmijë nga 6 muajsh deri në 11 vjeç. Këto prova janë më të ndërlikuara. Adoleshentët vaksinohen me të njëjtën dozë si të rriturit, por kompanitë po testojnë efektin e vaksinës në doza më të vogla tek moshat më të reja. Ekspertët shpresojnë se në vjeshtë do të kenë rezultatet fillestare mbi efektivitetin. /voa