Mogherini kërkon nga kryeministrat e Ballkanit të punojnë më shumë për të ardhmen evropiane

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, ka inkurajuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor që të angazhohen më shumë për përmbushjen e synimeve për përafrim me Bashkimin Evropian.

Mogherini ka zhvilluar të mërkurën në Bruksel një darkë pune me kryeministrat nga Kosova, Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe mandatari për kryeministër nga Maqedonia.

Në një komunikatë më shkrim, Zyra e Mogherinit njofton se Përfaqësuesja e lartë e BE-së u ka adresuar sugjerime liderëve ballkanik t’i vazhdojnë reformat evropiane.

“Të gjithë të pranishmit janë zotuar se do të angazhohen për vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane. Kanë përsëritur vendosmërinë dhe interesin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët në rajon”, thuhet në komunikatën e Mogherinit.

Ata po ashtu theksuan se do të angazhohen për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, nëpërmjet respektit dhe bashkëpunimit reciprok.

Ndryshe, në këtë darkë të organizuar nga kryediplomatja evropiane me kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishin të pranishëm edhe kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama.

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini para këtij takimi të përbashkët ka mbajtur takime bilaterale me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor.