Monogamia vs Poligamia

Monogamia (martesa me një grua) është esencë në fenë hyjnore dhe natyrën njerëzore, kurse poligamia (martesa me më shumë se një grua) është përjashtim të cilën e përkufizojnë shkaqe dhe rrethana të ndryshme!

Shkruan: Dr. Rijad Imeri

Zoti i madhëruar kur e krijoi Ademin a.s. nuk ia krijoi katër gra, por vetëm një, ajo ishte Havaja, që te ajo të gjej prehjen e shpirtit dhe të epshit.

Mirëpo martesa nuk përkufizohet vetëm në këto, por është një varg përgjegjësishë dhe standardeve të cilat bien mbi supet e bashkëshortit dhe për të cilat nëse nuk i përmbush ka përgjegjësi para ligjit në këtë botë dhe para Zotit në botën tjetër.

Promovimi i poligamisë në një shoqëri ku bashkëshorti qalon në përmbushjen e obligimeve dhe kerkesave themelore martesore të një gruaje të vetme është thirrje për më shumë padrejtësi dhe kaos në jetën shoqërore.

Kurse arsyetimi i poligamisë me përhapjen e prostitucionit është një arsyetim i mangët për dy shkaqe esenciale:

1. Prostitucioni nuk është i përhapur vetëm te personat e martuar me një grua, por e shumta e tij bëhet te personat që nuk janë fare të martuar,
2. Prostitucioni ndodh edhe në ato vende ku praktikohet poligamia dhe mjafton t’i hedhësh një sy vendeve si Dubai që është bërë fatkeqësisht epiqendër e prostitucionit, kurse në historinë paraislamike njeriu gjen imazhe të ndryshme të prostitucionit edhe pse poligamia ishte e përhapur dhe e papërkufizuar.

Pra prostitucioni është pasojë e rënies së moralit të individit në veçanti dhe shoqërisë në përgjithësi, është dobësi e besimit të njeriut dhe humbje e ndjenjës së mbikqyrjes hyjnore.

Për këtë Muhamedi a.s. tha që “zinaqari në momentet që bën zina nuk është besimtar.”
Prostitucioni sot promovohet publikisht, fuqishëm dhe vazhdimisht dhe mbrohet e mbështetet ligjërisht, siç është manifestim i egoizmit të individit dhe ikje nga përgjegjësitë e jetës.

Pra janë një varg dobësishë shpirtërore, morale dhe njerëzore gjë që poligamia nuk është zgjidhje e as opsion i duhur që të promovohet në kohën tonë.

Megjithatë poligamia është zgjidhje e një sërë problemesh shoqërore nëse veprohet dhe trajtohet sipas bazave islame, duke mos harruar se bazamenti mbetet monogamia nëse ajo është e shëndosh edhe ajo që do të ndërtohet mbi të do të jetë e shëndoshë, e nëse njeriu ka dështuar në të, poligamia do t’ia zgjeroj parametrat e dështimeve të tija.