Mos e gjyko tjetrin nga fjalet e njerezve

Haxhaxh ibnu Jusuf, guvernatori i Irakut, u martua me Hindin, edhe pse kjo e fundit nuk e pëlqente. Ishte i ati që e martoi si me zor. Pasi kishte kaluar një vit nga martesa e tyre, Hind gjendej para pasqyrës duke nëmur fatin e saj të keq dhe duke recituar:
E çfarë e lidh Hindin me Haxhaxhit e varfër!
Ajo s’është veçse një pelë e racës arabe të pastër.
E martuar me një gomar si valiu Haxhaxh
Nëse lind kalë arabie, eh ç’fat i madh
E në lindtë mushkë, me gomar është martuar s’ka faj.
Haxhaxhi i dëgjon këto vargje të gruas së tij dhe xhindoset. Menjëherë urdhëron shërbëtorin e tij të shkojë dhe ti përcjellë divorcin pa asnjë ceremoni. Ai i tha që t’ia komunikojë divorcin me dy fjalë, as dhe një shkronjë me tepër, në të kundërt, do i priste gjuhën. Me vete i dha dhe njëzet mijë dinarë floriri që t’ia jepte të shoqes së divorcuar.
Shërbëtori, me të hyrë në dhomën ku qëndronte Hind, i tha:
Ishe, s’je.
D.m.th, ishe e shoqja e Haxhaxhit, tashmë nuk je më, je divorcuar.
Sakaq, Hindi ia ktheu aty për aty:
Ishim e s’u gëzuam
S’jemi por s’u hidhëruam.
Mandej, dinarët e floririt që ia kishte dërguar i shoqi, ia dha shërbëtorit si shpërblim për sihariqin e mirë që i kishte sjellë.
Thuhet se pasi u divorcua nga Haxhaxhi, qëndroi disa kohë e pamartuar, pasi nuk pranonte njeri më të ulët se ish i shoqi. Një ditë, e joshi një poet arab që ti thurë disa vargje dhe ta lëvdojë para kalifit Abdul Melik ibnu Mervan. Me ti dëgjuar vargjet që thuheshin për Hind, kalifi dërgoi dikë që ta verifikojë nëse fjalët e poetit qëndronin apo jo. Kur u kthye, lajmësi i tha se nuk kishte asnjë të metë dhe se vlente për kalifin, pervec faktit se kishte gjoks te madh.
kalifi i dha:”Ngop evlatin dhe ngroh shtratin.”
Ai dërgoi njerëz që ti kërkojnë dorën dhe Hind pranoi, por me një kusht: Personi që do e çonte nga Bagdadi në Damask, të ishte vetë Haxhaxhi, ish i shoqi i saj dhe kalifi e pranoi.
Ndërkohë që Haxhaxhi kishte kapur për kapistre devenë ku kishte hipur Hind, kjo e fundit hodhi një dinar floriri përtokë dhe i tha Haxhaxhit: Shërbëtor! Më ra një dërhem përtokë, ma jep të lutem!”
Haxhaxh u përkul, e mori dhe duke ia zgjatur i tha:”Nuk është dërhem argjendi, por dinar floriri.”
Ajo i hodhi një shikim dhe i tha:”Falënderoj Zotin që argjendin ma bëri flori!”
Haxhaxhi e kuptoi çfarë donte të thoshte, por uli kokën dhe nuk tha asnjë fjalë. Hind i kishte thënë se po martohej me dikë që ishte më i mirë se ai.
Pasi mbërritën tek rezidenca e kalifit, Haxhaxhi u vonua tek stalla e kuajve, ndërkohë që njerëzit përgatiteshin për ceremoninë e dasmës. Duke e vënë re mungesën e Haxhaxhit, kalifi dërgoi njerëz ta kërkojnë dhe ta sjellin. Kur e gjetën, Haxhaxhi u tha:”I thoni kalifit se ime më, më ka edukuar të mos ha mbetjet e ushqimit të dikujt tjetër.”
Kalifi e kuptoi mesazhin dhe urdhëroi që Hind të vendosej në njërën nga dhomat e pallatit mbretëror. Ai e vizitonte vetëm pasditeve dhe nuk e trajtonte si gruan e tij. Hind e kuptoi se Haxhaxhi kishte gisht në këtë mes, prandaj, një ditë, i dërgoi fjalë kalifit se kishte nevojë për të. Kur ndjeu hapat e kalifit, ajo e këputi gjerdanin me xhevahire dhe e hodhi tek këmbët e saj. Kur ai shkeli në derë, Hind ngriti fustanin dhe u përkul të mbledhë xhevahiret e derdhura. Abdul Melik ibnu Mervan mbeti i shtangur nga hijeshia e Hind dhe u pendua që nuk e kishte trajtuar si grua për fjalën që i kishte thënë Haxhaxh.
Hind e vëren me bisht të syrit dhe thotë:”I pa të meta je o Zot!”
Kalifi i tha:”Përse thua ashtu?!”
Hind ia ktheu:”Këto xhevahire janë krijesa të Zotit dhe shërbejnë si stoli për sërën e mbretërve.”
Kalifi i tha:”Po, ashtu është.”
Hind shtoi:”Megjithatë, është urtësia e Zotit, që vetëm arixhinjtë munden ti shpojnë kokrrat e këtyre xhevahireve.”
Pasi u çel në fytyrë, kalifi i tha:”Po pasha Zotin, të vërtetën ke thënë. Zoti e poshtëroftë këdo që më ftohu prej teje.” Që atë ditë, Hind trajtohej si gruaja e kalifit Abdul Melik ibnu Mervan, me të gjithë të drejtat.
Asnjehere mos e ndertoni gjykimin tuaj mbi fjalet e njerezve!

Nga: Elmaz Fida