Mos ta preftë udhën fqinji!

Daut Dauti

Përvoja e hidhur e Maqedonisë së Veriut tregon se sa mund të zgjatet integrimi në BE dhe NATO, nëse ke një fqinj i cili ka të drejtë vetoje në BE dhe s’do t’ia dijë nëse i shkel procedurat, me rëndësi të arrijë qëllimin e vet që prej fqinjit ta marrë atë që dëshiron…BE-ja në këto raste nuk ka as vullnet, e as mekanizëm t’i bëjë presion vendit anëtar, por kërkon nga të dy palët t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet bilaterale, edhe pse kjo është jashtë kritereve…

Shkruan: Daut Dauti, SHKUP

Profesor Ferid Muhiqi shpesh e ka përmendur në tekstet e tij “origjinën” e Europës. Ajo vendlindjen e ka në Ballkan…E në kontekst të këtij fakti, pastaj, vjen paradoksi se pikërisht vendet e Ballkanit, në antikën e të cilave ka lindur nocioni Europë, sot janë më larg Europës se çdokush tjetër, sepse Europa e tyre është “spostuar” diku më larg tyre, qoftë gjeografikisht, qoftë si nocion socio-politik. Ata që e kanë “marrë” Europën si të veten, sot ua diktojnë rregullat e tyre europiane “europianëve të origjinës”. Fakti se vendi “i origjinës” së Europës, Greqia e sotme është në Europë, është paradoksi më i madh i keqkuptimeve midis vlerave që vendet anëtare ua shesin si kritere vendeve tjera.

Një burim keqkuptimesh dhe frustrimesh me dekada, një maratonë në vend të një sprinti të dëshiruar! Diçka me fajin e njërës palë, diçka me fajin e tjetrës, e diçka nga pozita e pamerituar e atyre që vendosin kujt t’i hapen e mbyllen dyert.

Në të vërtetë, ka jo vetëm keqkuptime, por dhe glorifikime të asaj çka paraqitet ose çka është BE-ja dhe glorifikime nga ajo që pritet prej saj të arrihet. Disonancat dhe disfunskionaliteti i BE-së gjithnjë e më shumë po bëhet barrë për perspektivën e saj, por dhe për perspektivën e pretendimeve të vendeve që duan të jenë në atë shoqëri. Shpesh nuk është e qartë pse një vend mbahet aq gjatë “në proces”, a është shkaku se “lojtarët e mëdhenj” të Europës, si Franca dhe Gjermania nuk i duan, a janë kriteret të cilat ndoshta as shtetet anëtare nuk i plotësojnë, apo janë do faktorë të tjerë përtej të gjitha këtyre.

Me gjithë kontekstin historik dhe shumë rrethana të tjera, sot në rolet e ndryshuara, Europa e “tëhuajësuar” nga djepi i vet është me shekuj përpara Ballkanit. Atje, të paktën disa konteste janë tejkaluar kaherë, e “europianët” e dikurshëm, ballkanasit e sotëm, ende iu kthehen shemave të shekullit 19-të për realizuar ato që s’i kanë realizuar atëherë! Shumë nga kriteret e BE-së për disa nga këto vende janë veç në letër, sepse vende si Shqipëria ose Maqedonia e Veriut, e Kosova si rast më specifik, janë gjithnjë e më të frustruara nga një tjetër lloj “kriteri” që pengon rrugën e tyre drejt BE-së – Marrëdhëniet me fqinjët.

Sepse, edhe nëse Europa ka lindur në Ballkan, ballkanasit kanë disa veçori grindavece specifike që ende i mbajnë larg Europës.

Ndërkëmbëzat ndërfqinjësore, kriter mbi kriteret!

Ndryshe nga njerëzit si individë, popujt nuk mund t’i zgjedhin fqinjët e tyre. I kanë ata që u kanë rënë në hise të ndajnë kohën dhe hapësirën e përafërt. Në ecejaket nëpër shekuj, pikërisht me fqinjët kanë ndarë të mirë dhe të keqe, herë nga hordhi a pushtues të huaj, e herë nga njëri-tjetri. Në kohën më të re, të paktën nga përvoja e Maqedonisë së Veriut, nuk është mirë të kesh pesë fqinj të drejtpërdrejtë, tre prej të cilëve në mënyrë direkte të mohojnë diçka që për ty është e shenjtë. Ndarja nga ish-Jugosllavia, u ngjall sentimenti dhe pretendimi fetar nga Kisha Ortodokse Serbe, duke zvarritur pranimin e autoqefalisë së Kishës Ortodokse Maqedonase. Sado që preteksti mund të ishte me kanonet kishtare të Patrikanës së Stambollit, e cila parasheh raporte të kishave ‘mëmë’ dhe ‘bijë’, kur kjo e dyta vihet në mbrojtje të të parës derisa e para t’ia njohë pavarësinë. Por, pak kush mendon se në raportet e tilla që u krijuan fill pas pavarësimit nuk ka motive të fshehta politike. Rrëfimi për këto raporte u desh të mbyllet me një kërkesë që nën tutori ta marrë Kisha Bullgare, krejt në frymën e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore pas nënshkrimit të marrëveshjes së famshme për bashkëpunim dhe fqinjësi të mirë. Dukej se Maqedonia e Veriut rizbuloi se kush ishte fqinji “më i mirë” ndaj saj…Por, e dini, historia u tregua ironike pikërisht në këto raporte, sepse jo Kisha por politika (zyrtare) do t’i përziejë lëmshet, edhe pse ndryshe ishte paraqitur më parë…Për këtë në fund të këtij kapitulli.

Të zitë e ullirit Maqedonia hoqi më së shumti me fqinjin jugor. Me kusht që ta pranohet në OKB, Greqia nguli këmbë për ta kontestuar emrin e saj, ndaj në vitet e para të pavarësisë, Maqedonia nënshkroi një marrëveshje “të përkohshme” derisa të zgjidhet çështja. Mendohej se nuk do të zgjasë shumë, por realiteti ishte i hidhur: kontesti zgjati prej vitit 1995 deri më 2017, kur në Prespë kryeministri Zoran Zaev dhe kolegu i tij grek, Cipras, vunë nënshkrimet në një marrëveshje me të cilën Maqedonia bëhet “e Veriut”.

Ajo që është me rëndësi të theksohet nga kjo histori është se gjatë gjithë kohës Greqia e shkeli marrëveshjen në pjesën që kishte të bëjë me një klauzolë sipas së cilës nuk do ta pengonte Maqedoninë në anëtarësimin në organizma ndërkombëtarë. Ajo në mënyrë të paturpshme shfrytëzonte pozitën e saj në NATO dhe BE për të vënë veto në anëtarësimin e Maqedonisë, madje duke vënë në pyetje edhe autoritetin e një kryetari amerikan, Xhorxh Bush, i cili nuk arriti ta bindë Greqinë në Samitin e Bukureshtit(2008), madje me një emër ndryshe nga Republika e Maqedonisë. (Thuhet se pas emrit duhej të futej Shkupi në kllapa). E njëjta gjë ishte edhe me pengesat e Greqisë për BE, sepse sipas vlerësimeve të autoriteteve më të larta të BE-së, po të mos ishte kontesti greko-maqedonas për emrin, Maqedonia sot do të ishte përkrah Kroacisë. Maqedonia në situatën që u gjet, e paditi Greqinë në Gjykatën Ndërkombëtare të të Drejtës në Hagë dhe ajo i dha të drejtë! Por çka se?! Greqianuk e përfilli as atë vendim, sepse si anëtare fuqiplote e NATO-s dhe BE-së, kishte të drejtën e vetos dhe kurrkujt nuk i jepte llogari!

Përderisa gjatë periudhës 1995-2017 Maqedonia përballej me Greqinë, Bullgaria luante rolin e fqinjit të mirë. Kishte një përpjekje në kohën e qeverisë së Lubço Georgievskit për t’i rregulluar disa kontestime bullgare rreth identitetit dhe gjuhës maqedonase, por ato nuk ishin të karakterit të kontestimeve në rrugën për Europë. Në atë kohë edhe Bullgaria ishte po si Maqedonia. Por dhe më vonë kur u bë anëtare, nuk ka pasur shenja se mund të shfrytëzojë ndonjë situatë për ta penguar. Shenjat ishin të kundërta. Edhe më shpresëdhënëse u bënë kur në vitin 2019 kryeministrat Zoran Zaev dhe Bojko Borisov nënshkruan atë marrëveshjen e famshme të miqësisë dhe bashkëpunimit, e cila nga pala bullgare më vonë u shfrytëzua si pretekst për t’i vënë si kusht Maqedonisë disa çështje historike e identitare për anëtarësim në BE. Neni i marrëveshjes ku në mënyrë decide thuhet se Bullgaria do ta ndihmojë Maqedoninë në procesin eurointegrues, tash është harruar krejtësisht dhe anëtarët e komisioneve për çështje historike e kulturore, puna e të cilëve as ishte e afatizuar e as ishte kusht, u shndërrua në farsë pikërisht për shkak të marrjes së bajrakut nga ana e politikës zyrtare të Sofjes për ta shfrytëzuar momentin!

Me këtë rast duhet të bëj një distinksion në raportet ndërfqinjësore: nuk është çështja se a kanë argumente Greqia apo Bullgaria në çështjet historike, të cilat janë një materie e gjallë nga aspekti shkencor që asnjëherë nuk mund të mbyllen, por te obstruksionet që u bëjnë kritereve të BE-së me ato çështje jashtë procedurave.

Në këtë farsë kur fqinji anëtar i BE-së kërkon koncesione që s’kanë të bëjnë me eurointegrimin, edhe duke e ditur, siç tha ministri maqedonas për Eurointegrime, Nikolla Dimitrov, se çështjet historike janë çështje bilatereale dhe nuk janë pjesë e kritereve, Bullgaria prej dy vitesh ka ngulur këmbë pikërisht në çështjet bilaterale! Në këtë farsë të fqinjit lindor ndërlidhet edhe farsa europiane, e cila nuk merr guximin për t’i thënë Bullgarisë se çështjet për të cilat e pengon Maqedoninë e Veriut nuk janë as kritere, e as pjesë e marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit dhe fqinjësisë. Po si në rastin e Greqisë, BE-ja nuk donte të ndërhynte për t’ia “ngrehë veshin”atij që e keqpërdor pozitën e vet dhe të drejtën e vetos…

Edhe pse ka pasur zëra individualë, ato nuk kanë qenë kategorikë, sepse për të qenë kategorikë duhet të ketë një vendim politik të BE-së, ose më saktë një mekanizëm që ta detyrojë anëtaren e vet të heqë pengesat që i ve në mënyrë të paarsyeshme. Dhe në mungesë të kësaj, Maqedoninë e lënë nën mëshirën e Sofjes, si dikur nën mëshirën e Athinës, duke kaluar përtej të gjitha shkeljeve që bën, e duke e rrëgjuar qëndrimin në gjoja parimor, e në fakt hegjemonist: Maqedonisë do t’i hapen bisedimet e anëtarësimit kur të arrijë marrëveshje me Bullgarinë! Ajo që u tha në fillim me manovrën e Kishës Ortodokse Maqedonase-Patrikana e Ohrit, që të bëhet “bijë” e Kishës Bullgare, shpërfaqet me gjithë kontekstin ironik: ik prej shiut, në breshër!

Mësimi për Kosovën!

Tash në paradoksin e eurointegrimit, kur bosët e mëdhenj të BE-së imponojnë agjenda dekurajuese për vendet e Ballkanit(paralajmërimi për ndërprerje të procesit të integrimit, ose shtyrje për data të largëta), edhe më shumë e komplikojnë situatën edhe ashtu të komplikuar edhe tash dhe këtu mbase ka të drejtë Edi Rama që gjithnjë e më shpesh e qorton BE-në për mungesë vullneti. Sepse, një nga qasjet e gabuara ishte që një shtet e venin në pako me një tjetër pavarësisht kush si kishte ecur në plotësimin e kritereve. Kështu,një kohë thuhej se Maqedonia është peng i Shqipërisë, e tash se Shqipëria është peng i kontestit bullgaro-maqedonas! Një gjë e pakuptimtë,sepse fundja, nëse një shtet ka bërë reforma të duhura siç i pret BE-ja, nuk ka pse të penalizohet për shkak të ngecjes së fqinjëve.

Kjo histori e gjatë e marrëdhënieve të Maqedonisë me Greqinë, Bullgarinë, por dhe Serbinë, mbase mund të jetë një mësim jo vetëm për Shqipërinë (mozomakeq nëse Greqisë i teket që për ndonjë arsye të vetën ta pengojë Shqipërinë!), por dhe më tepër për Kosovën. Rreziku për Kosovën qëndron në shanset më të mëdha që ka Serbia për integrimin në BE, edhe pse para pak kohe presidenti serb Vuçiq kishte përsëritur një qëndrim të kahershëm se Serbia nuk pranohet pa e njohur Kosovën. Edhe kancelarja gjermane në largim, Angela Merkel, që ka qenë ndër më të zellshmet në këtë, ia dha mesazhin e fundit, por gjërat me BE-në kurrë nuk janë të sigurta, përderisa për shkak të mosnjohjes së disa vendeve anëtare, Kosova do të mbahet edhe gjatë kohë para dyerve të BE-së duke i vënë lloj-lloj kushtesh. Kur me Kosovën një çështje praktike siç është heqja e vizave zvarritet me vite me premtime të kota, për eurointegrime as që bëhet fjalë.

Rreziku qëndron nëse për ndonjë arsye ose nga ndonjë e papritur megjithatë i hiqet Serbisë kushti i njohjes së Kosovës, atëherë ajo do të luajë si macja me miun, siç kanë bërë e bëjnë sot e kësaj dite Greqia e Bullgaria por dhe Kisha Serbe me Maqedoninë dhe kishën e saj.

Në këtë drejtim, taktizimet e pushtetit aktual të Kosovës që nuk i ka bash prioritet të deklaruar bisedimet me Serbinë, që mund ta zvarritë integrimin në BE, janë më se të dëmshme në planin afatgjatë. /shenja